Lajme

BE publikon agjendën e takimit të 18 marsit në Ohër


Të shtunën e 18 marsit, do të mbahet raundi i ri i bisedimeve në mes të Kosovës e Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të dialogut të Brukselit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konfirmuar pjesëmarrjen, njëjtë si presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shkruan në njoftimin për medie të Bashkimit Evropian.

Ndërsa si nikoqirë të këtij takimi do të jenë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i mbështetur nga emisari special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak.

Sipas agjendës së publikuar nga BE-ja, Dialogu në Ohër do të fillojë në mëngjes në orën 10:00 me mbërritjen e pjesëmarrësve.

“Përfaqësuesi i lartë, i mbështetur nga përfaqësuesi i veçantë i BE-së Miroslav Lajčák, do të mbajë së pari takime bilaterale të ndara me udhëheqësit njëri pas tjetrit, duke filluar nga ora 10:30, pas së cilës do të mbahet një takim trilateral i përbashkët”, njofton zyra për medie e BE-së.

Takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit Zbatues të Marrëveshjes së BE-së, në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Do të ketë një deklaratë për median nga përfaqësuesi i lartë në fund të takimit. Koha e saktë do të specifikohet gjatë pasdites”, thuhet më tej në njoftim.

Deklarata për medie nga Josep Borrell do të transmetohet live në “Europe by Satellite”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një takim me qytetarët e Shkupit, para dy dite, ka folur për rëndësinë e faktorit shqiptar në vend dhe takimin e 18 marsit mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër.

Ai ka treguar arsyen që Bashkimi Evropian ka zgjedhur pikërisht Ohrin si pikëtakimin e nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku pritet të diskutohet për Propozim-Marrëveshjen franko gjermane dhe planin e zbatimit për normalizimin e marrëdhënieve.

“A e dini pse pikërisht në Ohër? Si mirënjohje për suksesin e Marrëveshjes së Ohrit. Por, edhe si mirënjohje për rolin tonë të ri si shtet në rajon”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë tha se do të shfrytëzojë “ambientin e lezetshëm të Liqenit të Ohrit për t’i përkushtuar përpjekjet tona dhe të gjithë kohën që nevojitet për ta finalizuar këtë proces”.

Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Marrëveshja do të përmbajë një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore