Lajme

Osmani shpjegon arsyen pse është zgjedhur Ohri si pikëtakim mes Kurtit dhe Vuçiç-it


Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një takim me qytetarët e Shkupit, ka folur për rëndësinë e faktorit shqiptar në vend dhe takimin e 18 marsit mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër.

Ai ka treguar arsyen që Bashkimi Evropian ka zgjedhur pikërisht Ohrin si pikëtakimin e nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku pritet të diskutohet për Propozim-Marrëveshjen franko gjermane dhe planin e zbatimit për normalizimin e marrëdhënieve.

“Për një javë, në Ohër takohet kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë. Shpresoj për të nënshkruar Marrëveshje për njohje. A e dini pse pikërisht në Ohër? Si mirënjohje për suksesin e Marrëveshjes së Ohrit. Por, edhe si mirënjohje për rolin tonë të ri si shtet në rajon”, deklaroi Osmani.

Kryediplomati shqiptar ka numëruar sukseset e Bashkimit Demokratik për Integrim në ngritjen e pozitës së shqiptarëve, duke theksuar se kryeparlamentari është shqiptar, ministri i Financave është shqiptar, shefi i diplomacisë dhe shumë dikastere të tjera shtetërore që udhëhiqen nga shqiptarët.

Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik në Shkup, pati thënë se zgjedhja e Maqedonisë së Veriur si vend për takimin e radhës në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë paraqet një simbolikë në vetvete.

“Të mos harrojmë se më 9 qershor 1999 në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviç-it dhe hyrja e forcave të NATO-s. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishin të rëndësishme që Josep Borrell të na ftonte për takimin e radhës”, deklaroi Kurti.

Ndërkaq, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë tha se do të shfrytëzojë “ambientin e lezetshëm të Liqenit të Ohrit për t’i përkushtuar përpjekjet tona dhe të gjithë kohën që nevojitet për ta finalizuar këtë proces”.

Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Marrëveshja do të përmbajë një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore