Lajme

BE: Nuk ka asnjë provë që Kina furnizon Rusinë me armë


“Aktualisht nuk kemi prova të qarta që Kina furnizon Rusinë me sisteme armësh vdekjeprurëse, por i kërkojmë Kinës që të përmbahet nga çdo formë ndihme ushtarake. Një gjë është e qartë: ndihma ushtarake për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër agresionit rus është plotësisht legjitime sipas Kartës së OKB-së, ndërsa armatosja e agresorit do të ishte një shkelje e qartë”.

Kështu deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian Nabila Massrali gjatë konferencës ditore me shtypin e ekzekutivit evropian.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha më 19 shkurt se ishte i shqetësuar që Pekini po shqyrtonte forcimin e partneritetit të tij me Moskën duke ofruar “mbështetje vdekjeprurëse” për ushtrinë ruse.

Sipas disa raporteve, Blinken e ngriti çështjen gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi të shtunën.

Ambasadorja e SHBA-ve në OKB Linda Thomas-Greenfield theksoi se Kina do të kalojë një “vijë të kuqe” nëse vendos t’i ofrojë ndihmë ushtarake vdekjeprurëse Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

Në vend të kësaj, Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës mohoi synimet për të ofruar “mbështetje vdekjeprurëse” për Rusinë për luftën kundër Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore