Kosova

BE: Masat hiqen kur Kosova plotëson të gjitha hapat për shtensionim në Veri


Ilustrim

Qeveria e Kosovës uli për 25 për qind prezencën e Policisë së Kosovës në dhe pranë ndërtesave komunale në Veri si hap i parë për të de-përshkallëzuar situatën në këtë pjesë të vendit, megjithatë një gjë e tillë nuk është e mjaftueshëm sipas Bashkimit Evropian, meqë sipas tyre heqja e masave ndëshkuese që Unioni i ka vendosur Kosovës do të varet nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Kosovës dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovës për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në Veri.

“Masat ndaj Kosovës nuk ishin vendosur aq lehtë, ato janë të kthyeshme dhe nuk do të zgjasin asnjë ditë më shumë se sa duhet. Por, për tërheqjen e tyre duhet dëshmi se Kosova po i ndërmerr të gjitha hapat që janë kërkuar nga ajo dhe për shkak të së cilave edhe ishin vendosur këto masa”, shkruan Radio Evropa e Lirë duke u thirrur në burime diplomatike brenda BE-së.

Më 10 korrik, Kosova dhe BE-ja kanë arritur pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në Veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Ndryshe lryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 151-të të Qeverisë së Kosovës, ka prezantuar para ministrave arritjen e dakordimit në mes të zëvendësit të tij, Besnik Bislimit dhe të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, për reduktimin e trupave të Policisë së Kosovës brenda e në afërsi të ndërtesave komunale, ku qëndronin deri më tani, si hapi i parë për de-eskalimin e situatës së tensionuar në Veri të Kosovës.

Reduktimi, sipas Kurtit do të bëhet menjëherë meqë, siç ka argumentuar ai për shkak se qe “dy javë situata e ndërtesave komunale është krahasimisht shumë më e qetë”.

“Qeveria e Kosovës e shpallë publikisht gatishmërinë e saj për të punuar në drejtim të de-eskalimit të situatës dhe për të mos ndërmarrë hapa që mund ta eskalojnë situatën në Veri të vendit tonë. Kjo gjë nënkupton edhe reduktimin e menjëhershëm të 1/4 të policëve që gjenden brenda ndërtesave komunale apo në afërsi të tyre”, tha ai.

Shefi i Qeverisë së Kosovës përmendi edhe pikat e tjera të dakordësimit për të shtensionuar situatën në Veri, ndër të cilat atë për vlerësime të përbashkëta me EULEX-in dhe KFOR-in për mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë policore në Veri.

“Kjo ishte kërkesë e jona që nga fillimi”, shtoi ai.

Ai përmendi edhe deklaratën që duhet ta bëjë Qeveria për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Veri “pas stinës së verës”.

Kurti foli edhe për pikën e fundit të dakordimit në Bratisllavë, e cila ka të bëjë me ftesën që BE-ja do të dërgojë dy kryenogociatorëve për një takim që do të finalizojë planin e sekuencimit të implementimit të Marrëveshjes së dakordësuar fillimisht në Bruksel më 27 shkurt e më pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

“Pas finalizimit të planit të sekuencimit do të fillojë menjëherë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes”, tha Kurti ndër të tjera në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore