Lajme

“BE-ja ka përgatitur masa ndëshkuese ndaj Serbisë”


Foto: Albanian Post

Thirrjet e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës që, pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, të vendosen sanksione ndaj Serbisë, janë duke marrë epilog.

Kjo kërkesë e Kosovës kundrejt bashkësisë së organizuar ndërkombëtare ka ardhur pasi që kanë akuzuar drejtpërdrejtë Beogradin zyrtar për ngjarjen e 24 shtatorit.

Bashkimi Evropian ka përgatitur një paketë masash ndaj Serbisë, arsyeja e thjeshtë: përgjigje ndaj sulmit terrorist, ku vra rreshteri, tanimë heroi, Afrim Bunjaku.

Kështu të paktën ka thënë Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në një intervistë për “EuronewsAlbania”.

“Nuk do t’i quaja sanksione, sepse ato duhen miratuar nga Këshilli, por flasim për masa politike dhe financiare, që natyrisht do të dëmtojnë qeverinë e Serbisë”, ka thënë Von Cramon të shtunën.

Eurodeputetja gjermane ka deklaruar se durimi i Perëndimit ndaj politikave destabilizuese të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç – i cili nuk është distancuar nga sulmi terrorist – “është drejt fundit”.

Viola von Cramon

Masat që Von Cramon i paralajmëroi ndaj Serbisë, janë të ngjashme ato që Unioni i kishte vendosur ndaj Kosovës, si pasojë e refuzimit të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, për të shtensionuar situatën në Veri.

Krerët e shtetit, pra presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, por edhe Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, janë përkujdesur që në çdo takim ndërkombëtar, por edhe në paraqitjet e tyre në mediat e huaja, të kërkojnë sanksionimin e Serbisë nga BE-ja.

Këtë kërkesë, presidentja Osmani, e bëri edhe në Samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian, ku liderët e afro 50 vendeve evropiane ishin mbledhur në Granadë të Spanjës, për të diskutuar – ndër të tjera – edhe për tensionet në mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit terrorist.

Teksa akuzoi Serbinë se më 24 shtator ushtroi akt agresioni ndaj Kosovës, e para e vendit, pak para nisjes së samitit, tha se “jam këtu për të kërkuar ndihmën e BE-së për të sanksionuar Serbinë”.

Madje, ajo refuzoi që edhe të ketë ndonjë takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç – i cili po ashtu ishte në Granadë – pa u miratuar këto sanksione.

“Së pari sanksionet, pastaj mund të flasim për të tjera tema”.

“Nëse nuk ndërmerren sanksionet ndaj Serbisë ata do të abuzojnë me dialogun e normalizimit si proces përmes të cilit normalizohet fytyra e Vuçiç-it si agresori në vend që të normalizohen marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë”, pohoi.

Vjosa Osmani

Në të njëjtën linjë, sa i përket sanksioneve, ka qenë edhe kryeministri Kurti. Për dallim nga Osmani, ai ka pasur kritika ndaj ndërkombëtarëve për qasjen e tyre ndaj Serbisë, posaçërisht pas 24 shtatorit.

Mediumi prestigjioz britanik “Sky News”, në një intervistë që e ka pasur me kreun e ekzekutivit kosovar, ka thënë se ai është shfaqur i “indinjuar” dhe i “frustruar” me komunitetin ndërkombëtar.

Kjo për faktin se Kurti, ka kërkuar reagim më të ashpër të tyre kundrejt Serbisë.

“Ata [Serbia] mohojnë sepse po luajnë me librin e lojërave të [Vladimir] Putinit në Donbas. Burra të veshur me të gjelbër në pjesën Veriore të Kosovës. Jo pak, por njerëz të gjelbër që donin të fillonin një luftë dhe ta ndanin Kosovën”, thënë Kurti.

Albin Kurti

Kësisoj kanë qenë edhe kërkesat e Gërvallës. Mirëpo ajo është përkujdesur që kritikën për ndërkombëtarët ta qojë në një nivel më të lartë.

“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të vendosë sanksione ndaj regjimit të Vuçiç-it. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi dhe të përballet me pasoja”, shkruante Gërvalla në platformën X, më 1 tetor.

“Vetëm sinjalet e qarta kundër regjimit të Vuçiç-it do të ndalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë që të mos e nënvlerësojnë më rrezikun e madh”, vazhdonte.

Gjuha kritike e Gërvallës ndaj ndërkombëtarëve, mund të vërehet edhe në paraqitjen e saj në “Euronews”.

Aty ministrja kritikon ndërkombëtarët se nuk i kanë dëgjuar alarmet e mëparshme të ngritura nga Kosova për kontrabandën e armëve në Veri.

“Prej muajsh i kemi thënë partnerëve dhe aleatëve tanë. Kemi pasur aksione policore ku janë ndaluar mjete të mbushura me armë. Por e kemi ndjerë se ata nuk kanë qenë të gatshëm të na dëgjojnë. Ne mendojmë se ata kanë dashur ta interpretojnë këtë si mënyrë që Kosova të dilte nga procesi i dialogut dhe nuk e kanë parë që ne jemi pala e vetme e interesuar për të gjetur një zgjidhje”, theksonte ajo.

Donika Gërvalla

Sa i përket masave të mundshme ndëshkuese ndaj Serbisë, pas kësaj ngjarje, nga BE-ja, fillimisht kishin thënë se janë duke i pritur që të bëhen të gjitha hetimet, dhe pastaj të vendosin për këtë çështje.

“Hetimet se çfarë ka ndodhur janë në proces e sipër dhe nuk ka përfundime ende dhe hetimet po bëhen krejtësisht nga Policia e Kosovës e asistuar nga EULEX-i dhe KFOR-i”, kishte deklaruar zëdhënësi i BE-së, Petar Stano në konferencë për media më 26 shtator.

“Përderisa hetimet po vazhdojnë, ne nuk do të bëjmë vlerësime të asaj se çfarë ka ndodhur në terren dhe nuk do të japim konkludime derisa hetimet vazhdojnë. Duhet të shohim faktet konkrete, duhet të shohim se kush e ka organizuar dhe ekzekutuar këtë sulm terrorist dhe përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë. Në këtë Bashkimi Evropian është shumë i qartë. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi të gjitha faktet përpara. Çfarë ndodhi, si ndodhi, kush saktësisht e organizoi këtë sulm terrorist?”, pohoi Stano.

Peter Stano

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore