Lajme

BE-ja do të vendosë për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Bosnje-Hercegovinën


Ilustrim

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) kanë vendosur t’i japin dritën e gjelbërt hapjes së negociatave të anëtarësimit për Bosnje dhe Hercegovinën gjatë samitit të Këshillit Evropian të enjten dhe të premten në Bruksel të Belgjikës, raportoi “Politico” të mërkurën. Këshilli i BE-së pritet të bëjë ftesë që të përgatitet korniza negociuese e bllokut për nisjen e negociatave.

Komisioni Evropian javën e kaluar rekomandoi hapjen e negociatave formale për anëtarësimin e Bosnje dhe Hercegovinës në familjen e madhe evropiane, të cilin udhëheqësit evropianë planifikojnë ta ndjekin gjatë samitit të 21 dhe 22 marsit. Bosnje dhe Hercegovina mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022.

Pas vendimit që pritet të merret të enjten nga niveli më i lartë i BE-së, do të vazhdojë puna në Këshillin Evropian para se të nisin negociatat e anëtarësimit për Bosnje dhe Hercegovinën. Shtatë shtete anëtare të BE-së – Austria, Kroacia, Çekia, Greqia, Italia, Sllovakia – paraprakisht kërkuan që të miratohej vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Gjatë vitit të kaluar u çelën negociatat e anëtarësimit për Ukrainën dhe Moldavinë, por gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor iu tha të përgatiteshin për t’iu bashkuar bllokut evropian deri në fund të dekadës. Kosova dorëzoi dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por BE-ja ende s’ka marrë ndonjë vendim se si do të procedohet tutje.

Derisa vendet nga Ballkani Perëndimor anëtarësimin në BE e përjetojnë sikur njëfarë kthimi në kontinentin evropian, shumë nga shtetet perëndimore anëtare kanë një qëndrim skeptik, posaçërisht ndaj një rajoni të rrethuar nga armiqësitë etnike. Arsyet për këtë distancë janë të ndryshme, por kryesor është fakti se nuk duan të pranojnë në bllok shtete problematike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore