Shqipëria

Bashkëpunimi policor me Moldavinë, Balla: Intensifikojmë numrin e marrëveshjeve


Shqipëria do të shtojë përpjekjet për rritjen e numrit të marrëveshjeve policore me shumë shtete, të cilat sipas ministrit të Brendshëm Taulant Balla, ndihmojnë komunikimin e drejtpërdrejtë të Policisë së Shtetit me policitë e këtyre vendeve, në funksion të kapjes së personave në kërkim.

Komisioni për Politikën e Jashtme ka miratuar me votat pro të gjithë anëtarëve, marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Moldavisë për bashkëpunim policor.

“Dua të ndaj me ju, qasjen tonë për të intensifikuar dhe rritur numrin e marrëveshjeve më shumë vende, të cilat ndihmojnë komunikimin e drejtpërdrejtë të Policisë së Shtetit me policitë e këtyre vendeve, në funksion të gjetjes së personave në kërkim, nga policia apo drejtësia. Kemi rezultate të mira dhe konkrete sa iu përket numrit të personave të gjetur, të ekstraduar apo deportuar, duke e konsideruar një element thelbësor sa i përket goditjes së pandëshkueshmërisë”, tha Balla.

Sipas tij, “një person në kërkim që i shmanget drejtësisë është një problem i shtuar, sa i përket respektimit dhe sundimit të ligjit. Edhe kjo marrëveshje, apo të ngjashme do të ndihmojnë luftën tonë kundër krimit të të gjitha formave”.

“Nuk ka kosto financiare shtesë në zbatimin e saj, ato janë të parashikuar në buxhetin e DPPSH. Do të kërkoja mirëkuptimin dhe mbështetjen e gjithë anëtarëve të Komisionit (të Jashtëm)  për kalimin për miratim në Kuvend. Po ashtu dua të ndaj me ju, qasjen tonë për të intensifikuar dhe rritur numrin e marrëveshjeve më shumë vende, të cilat ndihmojnë komunikimin e drejtpërdrejtë të Policisë së Shtetit me policitë e këtyre vendeve, në funksion të gjetjes së personave në kërkim, nga policia apo drejtësia”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore