Shqipëria

Basha “riformaton” Partinë Demokratike, Alibeaj zëvendëson Bardhin


Nga debatet e afërta në sallën e Kuvendit deri te përplasjet në distancë për bunkerin anti-amerikan apo deluzionet e liderit.

Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi janë “divorcuar” zyrtarisht nga hierarkia e selisë blu.

Numri dy i Partisë Demokratike të Shqipërisë pritet të jetë Enkelejd Alibeaj, i cili është propozuar nga Basha të shtunën e 9 shtatorit për postin e Sekretarit të Përgjithshëm.

Xhemal Bushati është propozuar për kryetar të Këshillit Kombëtar, i cili ishte edhe kandidati i PD-së në garën për Shkodrën në zgjedhjet e pjesshme të vitit të kaluar.

Për nënkryetarë, janë propozuar Flutura Açka, Kreshnik Çollaku, Orjola Pampuri dhe Roland Bejko, i cili kandidoi në zgjedhjet vendore për Bashkinë e Tiranës.

Kështu nisi formatimi i strukturës së Partisë Demokratike, për t’i dhënë udhë “punës në terren për ringritjen e kësaj force politike”.

“Sot përfundojmë plotësimin e strukturës dhe të gjithë pa përjashtim, me mua të parin, duhet të jemi në terren për të ringritur partinë dhe për të qenë gati kudo dhe kurdo për përballje elektorale, për përballje vizionesh dhe për fitoren e vizionit tonë”, deklaroi fillimisht kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Në pikënisjen e fjalës së tij, kreu i selisë blu shtoi se me Këshillin Kombëtar, hidhet një tjetër hap i rëndësishëm për partinë.

“Pas Kuvendit Kombëtar të javës së shkuar hedhim sot një tjetër hap të rëndësishëm për Partinë Demokratike, formatimin e forumeve statutore të partisë. Ky akt i jep hov aksionit tonë politik që për shumë gjatë u largua nga detyra jonë paqësore, ajo e të qenurit në shërbim të shqiptarëve, të Shqipërisë dhe demokratëve”, u shpreh Basha.

Basha konfirmoi po ashtu gjatë punimeve të Këshillit Kombëtar se PD-ja zyrtare është tërhequr nga gara për Bashkinë e Kukësit.

“Ne respektuam vullnetin e degës së Kukësit për të mos nxjerrë kandidat, sepse është edhe përgjegjësia jonë, e të gjithëve bashkë që për një kohë të gjatë u morëm me luftën me njëri-tjetrin dhe jo me ringritjen dhe organizimin e partisë. Por kjo është hera e fundit që Partia Demokratike nuk ka kandidatë në zgjedhje”, theksoi Basha.

Kujtojmë që, mbledhja po mbahet në të njëjtën sallë ku u zhvillua takimi i deputetit Gazment Bardhi me ish-kryeministrin Sali Berishën në Tirana International Hotel.

Pjesëmarrës ishin 43 deputetë për të unifikuar siç u deklarua, qëndrimet e tyre në parlament kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Duke iu uruar për zgjedhjen tuaj si anëtar të Këshillit Kombëtar në Kuvendin e PD më 2 shtator 2023, iu njoftojmë se mbledhja e Këshillit Kombëtar do të bëhet ditën e shtunë, datë 9 shtator 2023, ora 11:00 për të zgjedhur strukturën drejtuese të Partisë Demokratike. Mbledhja do të mbahet në Hotel Tirana, salla Balsha, kati i dytë”, njoftoi PD-ja më herët.

Në Kuvendin Kombëtar, Basha mori vendim për ndryshimin e statutit të PD-së sipas të cilit kreu i grupit Parlamentar është kryetari i Partisë Demokratike.

Në këtë mënyrë Basha shkarkoi Bardhin nga posti i kreut të grupit parlamentar.

Në mbledhjen e 9 shtatorit Këshilli Kombëtar do të zgjedhë kryesinë e Kuvendit, sekretarët, nënkryetarët dhe zëdhënësin e grupit të PD-së.

Vetë Basha ka thënë se nuk do të jetë kryetar i grupit parlamentar, dhe se atë funksion do ta delegojë tek njëri prej 4 nënkryetarëve të tij zgjedhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore