Shqipëria

Basha: Reforma territoriale ka dështuar


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me këshilltarët bashkiakë të Partisë Demokratike.

Në fjalën e tij, Basha tha se “Banka Botërore e ka konstatuar publikisht dështimin total të Reformës Territoriale. Jo thjesht agjendën politike të kthimit të territorit dhe të menaxhimit të territorit në një shtojcë të manipulimeve elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme, por dështimin total me decentralizimin i cili në vend që të çonte më shumë kompetenca dhe pushtet tek bashkitë në funksion të qytetarëve, i ka bërë ato më jo transparente, më të bunkerizuara”.

Ai u shpreh se bashkia e Tiranës ka rritur taksat për qytetarët.

“Taksat i marrim nga qytetarët dhe në vend që t’i kthejmë tek qytetarët, i bëjnë hotele, i zhvasin dhe i depozitojnë në llogari bankare. Pra, një skemë e pastër mafioze”, tha ai.

Kreu i PD-së u kërkoi këshilltarëve të denoncojnë korrupsionin me taksat e shqiptarëve në bashkitë e vendit

“Me zë të lartë dhe me kurajo të denoncojmë gjithçka që ndodh në bashkitë e vendit në kundërshti me ligjin. Gjithçka që lidhet me korrupsionin masiv, me taksat e shqiptarëve, me zaptimin e pronave publike dhe private, me bashkëpunimin e ngushtë me krimin e organizuar, me abuzimin me trojet, me tokat, me pyjet, me kullotat dhe natyrisht, me mungesën totale të shërbimeve dhe investimeve në infrastrukturë”, u shpreh Basha.

Më tej, Basha tha se PD përpara ka dy etapa, programin politik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe koncepti për qeverisjen vendore.

“Gjithçka, nga propozimet tona të natyrës elektorale në raport me pushtetin vendor e te konfigurimi nga kryetar bashkie, këshill bashkiak dhe kompetencat e tyre dhe deri tek propozimet konkrete të përshtatura sipas veçorive të çdo bashkie thellësisht urbane, rurale, kanë të bëjnë me fatin e  njerëzve, me të sotmen dhe të nesërmen”, nënvizoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore