Shqipëria

Basha për paketën e rezistencës sociale: Rama tallet me qytetarët


Lideri i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, e ka cilësuar si tallje me qytetarët paketën e rezistencës sociale të prezantuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para pak ditësh.

Basha në Facebook shkruan se kryeministri vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi.

“Është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhytën në mjerim”.

Më tej, kryedemokrati ravijëzon se Qeveria ka parashikuar të shpërndajë “lëmoshë te grupe të kufizuara, që po mbijetojnë, kur në fakt rritja e çmimeve prek të gjitha shtresat dhe do të zhysë në varfëri qindra mijëra familje”.

Nga ana tjetër, Basha bën me dije se ai dhe mbështetësit e tij ia kanë propozuar zgjidhen e këtij problemi, por nuk është marrë parasysh.

“Zgjidhje ka. Ia kemi propozuar kohë më parë ku i kërkuam të marrë masa. Sepse shqiptarët janë aq të varfër sa nuk i përballojnë dot kostot shtesë për të përmbushur nevojat bazë”.

Lideri i PD-së akuzon se Qeveria po bën sikur po ndihmon qytetarët, por “po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen”.

“Me lëmoshë nuk zgjidhet kriza, ajo vetëm thellohet më shumë”, përmbyll shkrimin ai.

Çfarë përmban paketa e rezistencës?

Bëhet fjalë për një paketë me shtatë pika.

E para është derdhja e menjëhershme e 3.6 milionë lekëve për të indeksuar pensionet. Pika e dytë do të jetë kompensimi i çmimeve të shportës për 434 mijë përfitues.

Pra, Qeveria do të japë 3 mijë lekë të vjetër për disa kategori: pensionistëve, personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët me ndihmë ekonomike.

Gjithashtu, pika e tretë do të jetë mbëstetja për fermerët, me naftë pa taksa do të shkojë në 1.5 miliardë dollarë.

Pika e katërt është mbështetja për qytetarët që përdorin linjat urbane, duke depozituar 500 milionë lekë. Kështu nuk do të preket çmimi i biletës.

Po ashtu, do të futet në fuqi ligji, për përgjysmim e taksës për pagat mbi 500 mijë lekë të vjetër.

Pika e gjashtë, është rritja e pagës minimale, që në muajin prill shkon 320 mijë lekë të vjetër.

E fundit, është mbrojtja e çmimit të energjisë – qeveria do të depozitojë 200 milionë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore