Shqipëria

Basha: Korrupsioni armiku i mirëqenies së shqiptarëve, shkaktar Rama


“Armiku i mirëqenies së shqiptarëve është korrupsioni”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një postimi në Twitter të mërkurën e 25 janarit, duke u nisur nga raporti i “Transparency International” thekson se përhapja e korrupsionit “në çdo nivel të qeverisë Rama po e mban Shqipërinë në vendnumëro”.

Për kryedemokratin, lufta kundër korrupsionit është interesi i tyre kombëtar.

“Kjo bëhet për të çliruar vendin dhe institucionet e tij nga të korruptuarit. Ndonëse një grusht i vogël njerëzish po mundohen ta mbajnë peng të ardhmen, ajo tashmë ju përket shqiptarëve!”.

Transparency International: Shqipëria rënie me një pikë

Organizata gjermane Transparency International (TI)  publikoi raportin e saj vjetor të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (IPK), ku vërehet se Shqipëria ka rënie me një pikë.

Transparency International përdor një sistem llogaritjeje indeksi nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë se nuk ka aspak korrupsion.

Shqipëria ka pasur një rënie me një pikë krahasuar me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë.

Raporti, i cili analizon zhvillimet e vitit të kaluar, thekson lidhjen midis korrupsionit dhe nivelit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Kjo, nga vendet më të korruptuara deri tek ekonomitë më të përparuara.

Lidija Prokiç, këshilltare e Transparency International për Evropën Lindore dhe Juglindore deklaroi për Zërin e Amerikës se “në Ballkanin Perëndimor, ne shohim kryesisht stanjacion, por stanjacioni vjen pas një rënieje serioze dhe kjo nuk përçon ndonjë mesazh shpresëdhënës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore