Sport

Barella përfundon në radarin e Manchester City-t


Mediumi italian, “TuttoMercato”, pretendon se Manchester City do të kërkonte të bënte një lëvizje për yllin e Inter-it, Nicolo Barella-n, nëse ata e shesin Bernardo Silva-n.

Raporti detajon se si kampionët e Anglisë po negociojnë aktualisht shitjen e mundshme të anësorit portugez me Paris Saint-Germain, duke vendosur një çmim prej 100 milionë euro për 28-vjeçarin, i cili ka edhe dy vjet nga kontrata e tij.

Nëse ata do ta përfundonin shitjen e Silva-s, Manchester City më pas do ta kthente vëmendjen te Barella, pavarësisht faktit se ata plotësojnë qartë role të ndryshme në fushë.

Pep Guardiola ka mbetur i impresionuar nga cilësia, mentaliteti dhe aftësitë drejtuese të italianit.

Nuk dihet ende se sa mund t’i ofrojnë Inter-it, por është e qartë se zikaltrit nuk duan ta shesin 26-vjeçarin, pasi tashmë kanë refuzuar një ofertë nga Newcastle United këtë verë.

Inter-i mund t’i kërkojë City-t të përputhet me tarifën e paguar nga Arsenali për Declan Rice, e cila do të ishte rreth 120 milionë euro.

Barella është kontraktuar me skuadrën italiane deri në qershor 2026 dhe është bërë një nga figurat kryesore që nga ardhja e tij në ekipin nga Milano në vitin 2019.

Kujtojmë që Barella i kushtoi Inter-it rreth 45 milionë euro kur e transferuan nga Cagliari katër vite më parë.

Deri më tani ai ka luajtur në 187 ndeshje në të gjitha garat me fanellën zikaltër, prej të cilave ka shënuar 20 gola dhe ka dhuruar 44 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore