Shqipëria

Bardhi: Thirrja e gardës provokoi situatën, mazhoranca mbylli çdo derë komunikimi


Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar për grupimin Berisha, ka folur jashtë ambienteve të Kuvendit pas situatës kaotike mes deputetëve.

Sipas tij, mazhoranca ka marrë vendim për të asgjësuar opozitën dhe se nuk ka ndodhur kurrë përjashtimi i 32 deputetëve të opozitës në mbi 30 vite demokraci.

Bardhi ka thënë se deputetët e opozitës ishin rrethuar nga Garda dhe kjo solli provokimin e situatës dhe nxitjen e tensioneve.

“Deputetët e opozitës sot u rrethuan nga garda e republikës. Ishte mbyllur çdo derë komunikimi për deputetët e opozitës. Sjellja e gardës provokoi situatën, ndërsa ju e dini prej javësh mazhoranca e ka futur Kuvendin në një ngërç duke mos mundësuar vijimin normal të seancës së parlamentit”, ka thënë ai.

Sipas Bardhit, janë marrë vendime për asgjësimin e opozitës.

“Nuk ka ndodhur të rrëzohen kaq komisione hetimore pa dhënë një shpjegim. Nuk ka ndodhur të përjashtohen deputetët e opozitës se nuk pranojnë poshtërimin në sallën e Kuvendit”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore