Shqipëria

Banorët e Fierzës në protestë për guroren: Nëse ndërtohet, shteti duhet t’u gjejë strehim 400 familjeve


Banorët e njësisë administrative Fierzë në Tropojë, këtë të mërkurë të 9 gushtit, janë në protestë.

Ata janë ngritur kundër shfrytëzimeve pa kriter të materialeve inerte anës rrugës dhe ndërtimit të fabrikës së bitumit, pranë ujësjellësit të kësaj njësie, 50 metra larg rrugës nacionale Fierzë-Sheshi Trageteve-Bajram Curri.

Këto gurore, sipas tyre, po dëmtojnë edhe turizmin duke shkaktuar ndotje të ambientit e shkatërrim të habitatit natyrore të maleve.

Paçka protestave të tyre të herëpashershme, puna në njërën nga guroret nuk është ndërprerë edhe pse banorët thonë se ata nuk kanë asnjë dokumentacion ligjorë për të ushtruar këtë aktivitet.

Banorët ngrenë edhe shqetësimin e fëmijëve që shkojnë në shkollë nga kjo rrugë, ndiejnë rrezikun nga makineritë e rënda që transportojnë materialet inerte.

“Ne banorët qe kemi dalë këtu në protestë do të dalim sërish. Kjo lloj ndotje na fut kancerin, ne nuk e pranojmë dot. Kjo është hera e pestë apo e gjashtë që ne protestojmë”, ka thënë një nga protestuesit.

Sipas tij, do duhet që shteti t’i gjejë strehim 400 familjeve, sepse s’mund të jetojnë aty me ndërtimin e fabrikës.

“Nuk i kërkojmë shtetit gjë, jetojmë me kapacitetin dhe jetesën tonë. Por fabrikën e kancerit dhe të vdekjes mos na i ngrini këtu në mes të fshatit. Kjo është dhunë”, ka theksuar ai.

“Në 4 vende në Bajram Curr asnjë nga fshatrat nuk e ka pranuar këtë fabrikë sepse i dëmton. Protesta është e vështirë”, ka shtuar ai.

Ndërkohë edhe turizmi malorë është i kërcënuar.

Ndaj protestuesit kërkojnë nga organet ligjzbatuese të ndërpresin menjëherë këtë aktivitet të paligjshëm e situata të kaloj në normalitet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore