Lajme

Banka Qendrore e Libanit nuk ka falimentuar, thotë Guvernatori


Guvernatori i Bankës Qendrore të Libanit , Riad Salameh, këtë të hënë hodhi poshtë lajmin se institucioni që ai ka udhëhequr për 30 vjet kishte falimentuar. Gjithashtu ai tha se ishte ende duke vazhduar rolin e tij të mandatuar ligjërisht, pavarësisht humbjeve në sektorin financiar.

Komentet në një deklaratë të guvernatorit ishin një përgjigje e dukshme për zëvendëskryeministrin, i cili tha të dielën se si shteti ashtu edhe banka qendrore kishin falimentuar.

Libani është në vitin e tretë të një kolapsi financiar të shkaktuar nga dekada të tëra korrupsioni dhe politika të gabuara që, si rrjedhojë kanë shkaktuar që valuta të bjerë me më shumë se 90% dhe bankat të mbyllin shumicën e kursimtarëve jashtë llogarive me monedhë të fortë.

Qeveria po rishikon planin si pjesë e bisedimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar, nga i cili po kërkon një program ndihme.

“Për fat të keq, shteti është i falimentuar, ashtu si edhe banka qendrore, ndaj ne kemi një problem… humbja ka ndodhur”, tha zëvendëskryeministri Saade Chami gjatë një interviste të dielën.

Chami i tha transmetuesit lokal OTV se ai kishte folur për paaftësinë e shtetit për të kontribuar ndjeshëm në tejkalimin e humbjeve të sektorit financiar, “që do të thotë se ai nuk ka likuiditet”.

Deklarata e Salameh thoshte se “lajmi që po qarkullon për falimentimin e bankës qendrore nuk është i vërtetë”.

Ai shtoi se banka ishte ende duke kryer detyrat e saj të mandatuara ligjërisht sipas nenit 70 të ligjit për paratë dhe kreditë, i cili thotë se bankës i është besuar ruajtja e integritetit të monedhës libaneze dhe ruajtja e stabilitetit ekonomik.

Banka Botërore vlerëson se ekonomia e Libanit është tkurrur me gati 60% midis viteve 2019 dhe 2021, në atë që e ka quajtur një nga krizat financiare më të këqija në kohët moderne.

I pyetur në lidhje me komentet e Chamit më herët gjatë ditës, kryeministri Najib Mikati tha se besonte se zëvendësi i tij po fliste për “likuiditetin, jo për aftësinë paguese”, tha një deklaratë nga zyra e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore