Shqipëria

Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit në 3%


Banka e Shqipërisë ka mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit në 3 për qind, duke cituar Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare për tremujorin e tretë.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo vendimmarrje ndihmon në krijimin e kushteve të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit të ardhshëm, duke gjykuar se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend.

Lajmi u bë i ditur nga guvernatori Gent Sejko, duke cituar konferencën për shtyp.

Sipas tij, aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit, ndërsa inflacioni ka ardhur në rënie.

Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për garantimin e stabilitetit të çmimeve.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare ka dhënë një kontribut pozitiv në trendin rënës të inflacionit dhe në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë të vendit.

Ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në të ardhmen ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv në mesin e vitit 2024.

Inflacioni vijoi të shënojë rënie në tremujorin e tretë, duke regjistruar vlerat respektive prej 4.2 për qind dhe 4 për qind në muajt korrik e gusht.

Në aspektin makroekonomik, rënia e inflacionit u diktua nga rënia e inflacionit të importuar ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste, ndonëse në rënie, shfaqen më të qëndrueshme.

Sejko theksoi se stabilizimi në nivele të ulëta i inflacionit të importuar, një ecuri më e balancuar e kërkesës dhe ofertës, si dhe konvergjenca graduale e pritjeve për inflacionin në objektiv, do të diktojnë reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në tremujorët në vijim.

Politika fiskale ka mbetur në kahun konsolidues ndërsa eksporti i mallrave ka ardhur në rënie.

Punësimi shënoi një rritje vjetore prej 2.7 për qind në tremujorin e dytë ndërsa paga mesatare në sektorin privat u zgjerua me rreth 15 për qind, duke rritur të ardhura e familjeve shqiptare por duke mbajtur të larta edhe kostot e prodhimit dhe presionet e brendshme inflacioniste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore