Lajme

Balaj: S’duhet ta mohojmë ekzistimin e komunitetit LGBTI, duhet ta respektojmë Kushtetutën


Nazlie Balaj, këshilltare e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Nazlie Balaj, këshilltare e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë në RTV Dukagjini se puna në grupin punues që ka qenë i përbërë nga profesionistë të fushave të ndryshme nuk ka qenë aspak e lehtë sa i përket rregullimit të martesave të gjinisë së njëjtë, por ajo ka theksuar se “ne nuk duhet ta mohojmë ekzistimin e komunitetit LGBTI në mesin tonë”.

“Ne jemi të obliguar në bazë të Kushtetutës, konventave dhe rezolutave të ndryshme që çështjet t’i trajtojmë në bazë të legjislacionit që e kemi. Ne duhet të respektojmë parimin e barazisë pavarësisht dallimeve në religjion, etni, orientim seksual apo dallimeve tjera”, tha Bala.

“Nëse i referohemi Kushtetutës së vendit se si e rregullon çështjen e martesës. Kushtetuta jonë nuk përcakton gjini. Vetëm në Ligjin e Familjes përmenden gjinitë në martesë”.

Ajo ka shtuar se ky proces është filluar nga viti 2014.

“Ne i kemi marrë shembull edhe vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian. Kemi marrë shembullin e Gjermanisë, Austrisë dhe praktikat e vendeve fqinje”, tha Balaj.

Sipas saj, Kuvendi dhe Qeveria do të vendosin nëse do të procedojnë tutje me Projektligjin e Kodit Civil.

Aktivisti për të drejtat e personave LGBTI+ në Kosovë, Lend Mustafa, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se nuk ka shtet që ua ndalon atyre dashurinë.

Lend Mustafa

“Nuk ka kod, nuk ka fe, nuk ka shtet e as pushtet që na ndalon dashninë”, ka shkruar shkurt ai, kështu duke kundërshtuar zërat kritik të cilët janë kundër ndryshimit të Kodit Civil e cila parasheh martesën e personave të së njëjtës gjini.

Ndryshe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes Shefit të Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se nuk do të përkrah ndryshimin e Kodit Civil me anë të së cilit personat e së njëjtës gjini do të mund të martoheshin.

Përveç partive politike e deputetëve, kundër lejimit të martesës të së njëjtës gjini kanë dalë edhe katër komunitetet fetare shqiptare të Kosovës, të cilët njëzëri kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë projektligj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore