Shëndet

Bakteret e lidhura me kancerin e prostatës – Një revolucion i mundshëm


Ilustrim

Në një studim të fundit, shkencëtarët nga Universiteti i Anglisë Lindore kanë zbuluar disa baktere, të cilat lidhen me kancerin agresiv të prostatës.

Sipas tyre, lokalizimi i këtyre baktereve përbën një revolucion të mundshëm për parandalimin dhe trajtimin e formës më vdekjeprurëse të sëmundjes.

Studiuesit kryen analiza të sofistikuara gjenetike në urinën dhe indet e prostatës së më shumë se 600 burrave me dhe pa kancer të prostatës.

Ata gjetën pesë lloje bakteresh të lidhura me përparimin e shpejtë të sëmundjes.

Megjithatë, studimi nuk vërteton se bakteret nxisin ose përkeqësojnë kancerin e prostatës, por nëse puna konfirmon rolin e tyre, studiuesit mund të zhvillojnë teste për të identifikuar meshkujt më të rrezikuar dhe potencialisht të gjejnë antibiotikë për të parandaluar kancerin.

“Ky zbulim na entuziazmon, pasi ka potencialin për të revolucionarizuar me të vërtetë trajtimin për meshkujt”, tha Dr. Hayley Luxton nga departamenti i Kancerit të Prostatës në Mbretërinë e Bashkuar, i cili bashkëfinancoi kërkimin.

Në një shkrim për revistën “European Urology Oncology”, shkencëtarët përshkruajnë sesi hetimet e tyre gjenetike gjetën pesë lloje bakteresh – tre të reja për shkencën – që ishin të lidhura me kancerin e avancuar të prostatës.

Meshkujt, në urinën e të cilëve u evidentua një ose më shumë bakter në urinë, prostatë ose inde tumorale, ishin 2.6 herë më shumë të rrezikuar në përparimin e kancerit.

Shkencëtari udhëheqës Colin Cooper, njëkohësisht dhe profesor i gjenetikës së kancerit në Universitetin e Anglisë Lindore, tha se ishte e mundur që bakteret të mos përfshihen në sëmundje.

Për shembull, burrat me kancer më agresiv të prostatës mund të kenë mangësi të sistemit imunitar që lejojnë bakteret e caktuara të lulëzojnë. Por studiuesit dyshojnë fuqishëm se mikrobet janë të përfshira, ashtu si infeksionet e helikobakteres “Helicobacter pylori” rrisin rrezikun e kancerit të stomakut.

“Nëse do ta dinit me siguri se një lloj bakteri po shkakton kancerin e prostatës, mund të gjeni një antibiotik për ta zhdukur atë, i cili do të parandalonte përparimin”, tha Cooper.

Megjithatë, sipas tij, kjo nuk është aq e drejtpërdrejtë sa duket, paralajmëroi ai. “Ka shumë komplikime. Antibiotikët nuk futen shumë mirë në prostatë dhe duhet të zgjidhni një antibiotik që vret vetëm baktere të caktuara”, tha ai.

Ndërsa kanceri i prostatës është forma më e zakonshme e sëmundjes që gjendet te meshkujt, në shumë raste pacientët vdesin me këtë sëmundje dhe jo për shkak të saj.

Format më agresive të kancerit të prostatës marrin rreth 12 mijë jetë në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit.

Informacioni gjenetik mbi mikrobet tashmë i ka lejuar shkencëtarët të kuptojnë sesi mund të sillen në trup, duke përfshirë toksina dhe substanca të tjera që mund të lëshojnë. Kjo i ka shtyrë ata të zhvillojnë gjysmë duzinë hipotezash rreth asaj sesi insektet mund të shkaktojnë kancer të prostatës.

“Nëse ekipi mund të demonstrojë se këto baktere të sapo identifikuara jo vetëm që mund të parashikojnë, por në fakt shkaktojnë kancer agresiv të prostatës, për herë të parë ne mund të jemi në gjendje të parandalojmë shfaqjen e kancerit të prostatës. Ky do të ishte një zbulim i madh që mund të shpëtojë mijëra jetë çdo vit”, kanë thënë studiuesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore