Kosova

Bajrami: Qeveria Kurti për dy vite ka arritur “rekord të paparë” të deficitit tregtar


Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka publikuar shifrat e deficitit tregtar sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, duke thënë se Kosova ka arritur “rekord të paparë” të deficitit tregtar.

Ish-ministrja e Financave, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, theksoi se përgjatë qeverisjes dy-vjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje, jo vetëm që në Kosovë nuk ka pasur zhvillim ekonomik, por ka arritur “rekord të papaprë” të deficitit tregtar.

“Ky veç zhvillim ekonomik nuk mund të quhet”, shkroi ajo, duke prezantuar të dhënat se në vitin 2020 deficiti tregtar ka qenë 2.8 miliardë, ndërkaq në vitin 2022 deficiti tregar ka arritur në 4.7 miliardë euro.

Ndryshe, opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Paralelisht vazhdon pingpongu i pushtetit dhe opozitës se kush ka më shumë faj. Me diskurs krejt të ndryshëm po u përgjigjen edhe thirrjeve e presioneve perëndimore për zbatimin e Planit Evropian, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore