Shqipëria

Bajram Begaj përshëndet lirimin e tre policëve të rrëmbyer nga Serbia


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka përshëndetur lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga Serbia dhe u ka kërkuar palëve “kthim në tryezën e dialogut”.

“Përshëndes lirimin e tre policëve të Kosovës. Uroj kthim sa më të shpejtë e efektiv të palëve në tryezën e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes së dakordësuar në Bruksel dhe Ohër”, shkruan kreu i shtetit.

Reagon Begaj për rrëmbimin e 3 policëve: Strategjia ‘eskalim për të de-eskaluar’ duhet të marrë fund

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi më herët se kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi rihap rrugën e de-eskalimit dhe të dialogut.

“Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithsesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës”, theksoi kryeqeveritari.

Kujtojmë që, vendimi për lirimin e tre policëve të Kosovës, të kapur nga forcat serbe në territorin e Kosovës, është marrë në orët e mëngjesit të së hënës.

Lajmin e kanë konfirmuar për Albanian Post zyrtarë të pranishëm brenda sallës ku u morë vendimi në një gjykatë në Kralevë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore