Lajme

Azovstali është thuajse i shkatërruar


Fabrika e përpunimit të hekurit dhe çelikut në qytetin e Mariupolit, Azovstal, është shkatërruar thuajse tërësisht si pasojë e bombardimeve ruse.

Lajmin e ka konfirmuar vetë zëvendëskomandanti i forcave Azov, Svyastoslav Palamar.

Forcat Azov janë të fundit të mbetura në Mariupol, sipas të gjitha raportimeve, dhe po qëndrojnë të palëkundur në mbrojtje të vendit dhe fabrikës.

Ndër të tjera, mendohet se brenda Azovstalit kanë mbetur 1 mijë persona dhe si pasojë e bombardimeve ruse, 300 prej tyre kanë ngecur në një pjesë të kateve të nëndheshme.

“Bomba shumë të fuqishme janë hedhur mbi fabrikë dhe civilët ndodhen nën rrënoja”, konfirmoi Palamar.

Një thirrje ka ardhur edhe nga forcat ruse kundrejt luftëtarëve ukrainas.

Ata kanë lënë një afat deri në mesnatë, që fabrika të boshatiset dhe civilët e ushtarët të dorëzohen.

Vetë komandanti i forcave Azov, Michail Pirog, e përjashtoi kategorikisht këtë mundësi, duke e bërë të qartë se ukrainasit janë të gatshëm t’i shkojnë deri në fund betejës.

“Dorëzim? As që kemi folur për të. Rusët të bëjnë ç’të duan me ultimatumet e tyre. Heronjtë e Mariupol-it do të luftojnë deri në fund. Ata nuk kërkojnë martirizimin, por janë gati të vdesin”.

Kështu deklaroi Pirog pas thirrjeve ruse.

Teksa, në gjithë Mariupolin, situata është më se kritike, pasi ende nuk dihet se sa viktima mund të ketë shkaktuar lufta aty.

Disa raportime thonë se bëhet fjalë për 5 mijë civilë të vrarë.

Por, nga ana e kryetarit të Bashkisë, Vadym Boichenko, është thënë se qyteti juglindor i Ukrainës është 90% i shkatërruar dhe situata është e tillë, sa të pretendohet se kemi të bëjmë me një gjenocid me rreth 20 mijë viktima.

Një pretendim i tillë nuk është kundërshtuar nga asnjë palë deri tani, por as nuk është vërtetuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore