Kosova

Austria uron Kosovën për liberalizimin e vizave: Moment historik për perspektivën e BE-së


Flamuri i Kosoves dhe Austrise.

Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë, ka uruar Kosovën për heqjen e vizave.

Urimin MPJ nga Austria e ka bërë përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’.

“Ky është përmbushja e një kërkese të gjatë dhe shënon një moment historik të rëndësishëm për perspektivën e BE-së, urime”, thuhet nga kjo ministria.

Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të martën e 18 prillit.

Ky votim ishte hapi përfundimtar në proceduarën për liberalizimin e vizave.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit të ministrave të BE-së dhe asnjë amendament. Prandaj, është miratuar qëndrimi i Këshillit dhe është miratuar akti i propozuar”, tha kryetarja e Parlamenti Evropian, Roberta Metsola.

Më 19 prill, pritet të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

Si janë rregullat e udhëtimit?

Rregullat do të lejojë kosovarët që të udhëtojnë pa viza në BE për një periudhë 90 ditore në çdo cikël 180 ditor.

Sipas qëndrimit të Këshillit, përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari 2024.

Në njoftimin e Këshillit për liberalizimin e vizave për Kosovën thuhet se Kosova ka bërë progres tejet të rëndësishëm në të gjitha stacionet e kushteve për liberalizmin e vizave përfshirë edhe fushat e sigurisë së dokumenteve, kufijve, migrimit, rendit publik, dhe të drejtat fondamentale lidhur me lirin e lëvizjes.

Në bazë të këtyre rezultateve, Komisioni kishte propozuar heqjen e vizave për kosovarët.

Kalimi edhe i Kosovës në udhëtime pa viza nënkupton që i gjithë Ballkani do të jetë në të njëjtin regjim vizash në raport me BE-në.

Derisa të vij 1 janari i 2024-së, Komisioni do të vazhdojë të monitorojë implementimin e kërkesave të BE-së.

Albanian Post kishte raportuar me 5 nëntor të vitit të kaluar ekskluzivisht se “Kosovës do t’i liberalizohen vizat shumë shpejt, pasi është arritur edhe pajtim mes Brukselit dhe Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore