Lajme

Australia shpall hetime për ministritë sekrete të marra nga ish-kryeministri Morrison


Kryeministri i Australisë Anthony Albanese ka njoftuar një hetim të pavarur ndaj paraardhësit të tij Scott Morrison, i cili e emëroi veten fshehurazi në si ministër në pesë dikastere gjatë pandemisë COVID-19.

Albanese njoftoi masën e marrë të martën pasi avokati i përgjithshëm, Stephen Donaghue, arriti në përfundimin se ndërsa emërimet e Morrison-it ishin të ligjshme, ato “minuan në thelb” imazhin e qeverisë përgjegjëse.

“Demokracia jonë është e çmuar”, shkruan Albanese në llogarinë e tij në Twitter. “Australianët meritojnë të dinë se kush është përgjegjës për marrjen e vendimeve në emër të tyre”.

Morrison, i cili dha dorëheqjen si lider i Partisë Liberale pasi humbi zgjedhjet e përgjithshme në maj, është përballur me një breshëri kritikash nga qeveria laburiste dhe partia e tij pasi u zbulua se ai ishte betuar fshehurazi për postin e ministrit që ka marrë pa i thënë Parlamentit ose kabinetit të tij, një marrje e paprecedentë e pushtetit.

Ish-kryeministri i dha vetes fshehurazi 5 ministri shtesë, indinjohen australianët

Në këshillën me shkrim, avokati i përgjithshëm ishte kritik që publiku dhe Parlamenti nuk kanë qenë të informuar për emërimin e Morrison në ministritë.

Kjo ishte “në kundërshtim me konventat dhe praktikat që përbëjnë një pjesë thelbësore të sistemit të qeverisjes së përgjegjshme të përshkruar nga … Kushtetuta”, thuhej në këshillën e avokatit.

Deri javën e kaluar tre ministra nuk ishin në dijeni se Morrison ndante pushtetin mbi ministritë e tyre. Ishin ata të punëve të brendshme, thesarit dhe financave.

Morrison tha se ai ndërhyri vetëm në një ministri, ajo e burimeve, për të bllokuar një projekt gazi në det të hapur. Vendimi tani po kundërshtohet në gjykatë nga kompania e burimeve.

Albanese u tha gazetarëve në Canberra se këshilla nga avokati i përgjithshëm ishte një “kritikë shumë e qartë” e implikimeve që ky gjest ka për demokracinë parlamentare të Australisë.

Albanese shtoi se kabineti i tij kishte rënë dakord që “ka nevojë për një hetim të mëtejshëm … për të shqyrtuar se çfarë ndodhi dhe si ndodhi. Gjithashtu do të duhet të shqyrtohet se cilat janë implikimet për atë që ndodhi dhe nëse ka ndonjë çështje ligjore që ngrihet”.

Hetimi do të “shikojë gjithashtu reformën e ardhshme, si mund të sigurohemi që kjo të mos ndodhë në të ardhmen”, tha kryeministri duke shtuar se sjellja e Morrison ishte “e jashtëzakonshme”.

Emërimet e Morrison-it u miratuan nga Guvernatori i Përgjithshëm David Hurley, kreu ceremonial i shtetit, por nuk pati asnjë ceremoni publike të betimit.

Nuk ka pasur asnjë koment të menjëhershëm nga zyra e Morrison-it.

Ish-kryeministri tha javën e kaluar se pandemia e koronavirusit ishte një kohë e jashtëzakonshme dhe ai mori në fshehtësi ministritë sepse ndjeu se përgjegjësia për kombin ishte vetëm e tij.

Australia ka një sistem të bazuar në kabinet që mbështetet në një grup ministrash që qeverisin.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore