Lajme

Associated Press: Protestojnë refugjatët afganë në Kosovë


Foto: AP, protestojnë afganët në Ferizaj.

Në kampin Bondsteel në Ferizaj, disa afganë organizuan protestë këtë javë, duke mbajtur pankarta me mesazhe si “Ne duam drejtësi”, shkruan Associated Press.

Kjo pasi as autoritetet në Kosovë, dhe as autoritetet në Shtetet e Bashkuara nuk japin informacione nëse disa afganë të strehuar në Kosovë, nuk do të lejohen të zhvendosen në SHBA,

“Ata thjesht vazhdojnë të përsërisin të njëjtat gjëra, se kjo kërkon kohë dhe ne duhet të jemi të durueshëm”, tha një nga afganët, Muhammad Arif Sarwari, në një mesazh me tekst nga baza.

Për disa nga afganët të cilët janë evakuuar pasi vendi i tyre ka rënë në duart e talebanëve verën e kaluar, udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndoshta mund të ketë përfunduar, duke ngelur në një grup çadrash dhe banesa të përkohshme në një bazë amerikane në Ballkan.

Foto: AP, protestojnë afganët në Ferizaj.

Që nga gushti më shumë se 78 mijë afganë kanë mbërritur në SHBA , por e ardhmja për ata që janë vënë për verifikim shtesë të sigurisë dhe po mbahen në kampin Bondsteel, në Kosovë mbetet në ajër.

Një ish zyrtar i lartë i inteligjencës me qeverinë afgane, Sarwari deklaroi se në Bondsteel janë rreth 45 persona, që përfaqësojnë rreth 20 raste individuale të vizave.

Administrata e Bidenit nuk ka jepur detaje rreth çështjes së afganëve, por pranon se disa nga të evakuuarit nuk ia dolën ta kalojnë atë që e quan “një proces shqyrtimi dhe verifikimi me shumë rigorozitet”, dhe nuk do të lejohen të hyjnë në SHBA.

“Ndërsa shumica dërrmuese e të evakuuarve afganë janë pastruar përmes këtij procesi, numri i vogël i individëve që janë mohuar janë shembuj të sistemit që funksionon saktësisht siç duhet”, tha Sean Savett, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Sipas Qeverisë së Kosovës, në total rreth 60 afganë kanë kaluar në Bondsteel, e cila fillimisht autorizoi përdorimin e bazës për të evakuuarit për një vit, por së fundmi ra dakord ta zgjasë atë deri në gusht të vitit 2023.

Foto: AP, protestojnë afganët në Ferizaj.

Në muajin shkurt, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës kishte thënë se, bazuar në marrëveshjen e saj me SHBA-në dhe NATO-n, çdo afgan që është në Kosovë mund të qëndrojë vetëm një vit.

“Deri më tani, asnjëri nga qytetarët afganë nuk ka aplikuar për qëndrim në Kosovë”, thuhej në përgjigjen e MPB-së.

Kryeministri Albin Kurti përmes një deklarate ka thënë se qeveria është krenare për rolin e saj në sigurimin e strehimit të përkohshëm për ta.

Afganët janë vendosur në një seksion të Bondsteel të quajtur Camp Liya, i quajtur sipas një fëmije afgan që iu dorëzua marinsave amerikanë mbi një gardh në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai gjatë evakuimit, sipas një botimi ushtarak amerikan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore