Lajme

“Askush s’mund të më ndalë për të gjetur babanë dhe të zhdukurit e tjerë”


Anëtari Partisë Demokratike të Kosovës, Andin Hoti

Anëtari Partisë Demokratike të Kosovës, Andin Hoti, ka thënë se askush nuk mund ta ndalë atë në angazhimin e gjetjes së të zhdukurve me forcë, përfshirë edhe babanë e tij.

Kjo deklaratë e tij ka ardhur pas raportimeve të mediave se i njëjti është larguar nga PDK.

“Askush dhe me asgjë nuk do të mund të më ndalë në angazhimin tim për t’i gjetur më të dashurit tanë, babin dhe një mijë e 631 të zhdukurit e tjerë me forcë gjatë luftës. Nuk do të heq dorë për asnjë çmim dhe nuk brengosem për qëndrimet apo opinionet politike të askujt”, ka thënë ai.

Hoti përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se konfuzioni i shkaktuar ditëve të fundit dhe nga siç i ka quajtur ai, tendencat dhe sulmet e orkestruara për largimin e tij nga PDK-ja, është “jo vetëm trazues dhe i papranueshëm, por edhe i dëmshëm për misionin e tij në krye të Komisionit për zbardhjen e fatit të familjarëve që ende u mungojnë”.

“Reagimet politike dhe fushatat e nxitura inatçore duke shtrembëruar të vërtetën, kanë pasoja më serioze se sa dëmtimin tim personal apo kalkulimin e interesave elektorale në prag të fushatës”, shtoi ai.

Hoti theksoi se duke marrë shkas nga sulmet që po i bëhen, po shpreh indinjatën e tij ndaj atyre që u munduan të hedhin baltë mbi të.

“Falënderoj të gjithë ata që përmes reagimeve publike i kanë dhënë përgjigjen më të mirë këtyre tendencave dhe për të shprehur indinjatën e thellë ndaj honxhobonxhëve të prishur që u munduan të hedhin baltë mbi ADN-në time”, ka thënë Hoti.

Më gjashtë korrik të vitit 2021, Kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti, e pati emëruar Andin Hotin, Kryesues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur ka emëruar Andin Hotin, Kryesues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Ndryshe, Andin Hoti, është djali i veprimtari Ukshin Hoti, i cili është zhdukur në vitin 1999. Pas lirimit nga burgu i Dubravës ishte marrë peng dhe vendndodhja e tij ende nuk dihet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore