Sport

Arsenal-i synon transferimin e mesfushorit italian


Skuadra e Arsenal-it do të synojë ta bëjë një transferim tjetër për ta përforcuar repartin e mesfushës.

Sipas asaj që shkruajnë mediat në Itali, londinezët do të synojnë afrimin e futbollistit të Juventus-it, Manuel Locatelli-t.

“Topçinjtë” e kanë ndjekur edhe më herët futbollistin e Italisë, por thuhet që gjatë verës do ta prezantojnë një ofertë më konkrete.

25-vjeçari me bardhezinjtë ka kontratë deri në qershor të vitit 2026 dhe për ta shkëputur nuk do të jetë aq e lehtë, pasi që thuhet se torinezët kërkojnë të paktën 40 milionë euro.

Locatelli iu bashkua Juventus-it në verën e vitit 2021 si huazim dy-vjeçar nga Sassuolo, me detyrim blerje për 30 milionë euro në qershor të këtij viti.

Deri më tani, ai ka luajtur në 68 ndeshje në të gjitha garat me fanellën bardhezi, prej të cilave ka shënuar tre gola dhe ka dhuruar pesë asistime.

Mesfushori italian gjithashtu numëron edhe 24 ndeshje zyrtare me kombëtaren e Italisë, prej të cilave ka shënuar edhe katër gola.

Kujtojmë që lojtari është produkt i akademisë së Milan-it, për të cilët luajti në 63 ndeshje, duke shënuar një gol dhe duke dhuruar dy asistime.

Kuqezinjtë e shitën atë te Sassuolo në vitin 2019, ekip me të cilët pati paraqitjet më të mira.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore