Lajme

Arrestohet një serb në Jarinjë


Jarinjë.

Një shtetas i Serbisë, është arrestuar në pikën kufitare në Jarinjë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Po, është e vërtetë e kemi ndaluar një pjesëtar serb në Jarinjë. I njëjti është ndaluar për veprën ‘fotografim i paautorizuar’, dhe është duke u intervistuar në Mitrovicë të Jugut”, ka thënë Elshani.

Duke shtuar se pastaj do të vendosim për “masat që do të marrim”.

Më 30 dhjetor, Policia e Kosovës ka pasur një përleshje me armë zjarri me disa persona në Zubin Potok – komunë e banuar me shumicë serbe – të cilët po kontrabandonin dele nga Serbia, ndërsa njëri prej të dyshuarve është arrestuar.

Në njoftim theksohej se në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar.

“Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur vetën dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull serb kosovar nga Z.Potoku)”.

“Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime”, thuhej në njoftim.

Gjatë kontrollit të kamionit, ishin gjetur të ngarkuara 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohej se ishin kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës.

Po ashtu aty ishin hasur edhe dy automjete të braktisura, që dyshohej se kanë qenë në përcjellje të kamionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore