Shqipëria

Abuzime me fondet e BE-së në SASPAC: Në pranga Beqaj, firmosen 7 urdhërarreste


Këtë të enjte të 4 korrikut është arrestuar ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Gjithashtu, mësohet se në pranga ka rënë dhe bashkëpunëtori i tij, njeriu i besuar Ermal Kurtulaj i cili ka mbajtur dhe postin e koordinatorit të projektit EUSAIR që menaxhohej nga SASPAC dhe Alfred Nikolla. Në total janë firmosur 7 urdhërarreste: 3 arrest me burg, dy arrest shtëpie, dy detyrim me paraqitje.

Dosja

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, prej kohësh gjendet tashmë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme SPAK, ku përtej një implikimi në çështjen e tenderit të sterilizimit, ai është nën hetim edhe lidhur me disa përgjime që e implikojnë atë drejtpërdrejt me çështje të pastrimit të parave përmes faturave fiktive.

Albanian Post e ka parë dokumentin e SPAK sa i takon këtyre hetimeve, ku kryesisht restoranti Gzona, i njohur në Tiranë, është përdorur sipas Prokurorisë nga Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë aferë.

Personat kryesorë të implikuar janë vetë Beqaj, edhe si ish-drejtues në Agjencinë SASPAC, Ermal Kurtulaj, njohje e hershme dhe bashkëpunëtor i ish-ministrit, si edhe Gazmend Prenga, i cili është administrator i biznesit në fushën e shërbimeve.

Fillimisht, duhet kuptuar se si Beqaj ishte në realitet “ortaku” i fshehtë në biznes.

Restoranti Gzona është në pronësi të shoqërisë tregtare Albanian Food and Hospitality dhe nga ekstrakti historik, rezulton se ortake e mëparshme në këtë biznes ka qenë edhe shtetasja Adriana Beqaj, bashkëshortja e Ilir Beqajt, në kuotën prej 50% të aksioneve.

Më 1 mars 2019, ajo i ka falur 35% të kuotave të saj një ortaku tjetër, Arti Malaj, i cili pas kësaj “dhurate” i ka ngritur kuotat e tij në 85% të gjithë kompanisë.

Adriana Beqaj ka mbetur kështu me 15% të kuotave, të cilat sërish i ka shitur më vonë tek Malaj, i cili është bërë pronar i 100% të aksioneve të kompanisë.

Më 12 gusht 2021, ai i ka shitur të gjitha kuotat te shtetasi Eduard Curri.

Ky i fundit, rezulton edhe ortak pranë disa shoqërive aksionare, ku ajo që spikat më shumë është Delta Holding, operuese në fushën e farmaceutikës dhe pjesë e hetimeve të SPAK lidhur me Beqajn, ku dyshohet se kjo kompani është favorizuar në tenderime.

Komunikimet e faturave

Në hetimet e SPAK rezulton të ketë pasur biseda mes Ermal Kurtulajt dhe Gazmend Prengës, sa i takon prerjes së disa faurave të lëshuara, të cilat mendohet se janë fiktive.

Në këto përgjime, rezulton se lidhjet janë për një faturë të lëshuar nga shoqëria ME’NAM SHPK, në pronësi të shtetasit Fisnik Fili, kundrejt një subjekti në fushën e zbatimit të programeve.

Kjo e fundit rezulton se ka të punësuar si koordinator projektesh shtetasin Edmond Sinani, i cili ka qenë pjesë e SASPAC (Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës) ku Beqaj ka qenë drejtor.

Vlera e kësaj fature kap 111 mijë e 500 lekë.

Në komunikime, Kurtulaj dhe Prenga rezulton të flasin:

K: Gazi?

P: Hë shok?

K: Sa është fatura e darkës së maqedonasve?

P: Nuk e kam printu.

K: Po shkruje içik pra, t’më thuash vlerën se nuk do e presësh ti, do presim diku tjetër, po thjesht sa është si vlerë.

P: Se sa mund të shkojë?

K: Sa është totali që duhet të shkruaj unë te ata, kupton?

P: Shumë mirë, në rregull.

Në komunikimet në vazhdim, lihet të kuptohet se faturat në organizimin e eventeve tek Gzona i ka faturuar Fisnik Fili në të paktën dy raste sipas vlerave, ku Ermal Kurtulaj i referon atij që do të lëshohen fatura të tjera për Fisnikun, për efekt të TVSH.

Më tej në bisedë i thuhet se që të mos ketë probleme, do të bëjnë edhe një faturë tjetër, që të zbriten TVSH-të dhe që punët të jenë në rregull.

Po ashtu nga SPAK janë verifikuar edhe blerjet e kryera nga shoqëria ME’NAM, por pa konstatuar faturë blerjeje në lidhje me këto komunikime.

Sa janë shumat?

Shumat e parave të përfshira në këtë çështje shtrihen në disa aspekte.

Fillimisht duhet kuptuar natyra e tyre dhe me çfarë ka të bëjë çështja.

Disa shuma, fatura në vlerë 5 mijë dhe 5 mijë e 500 euro, janë lëshuar ndaj shoqatës Good Health, një OJF në fushën e shëndetësisë e drejtuar nga Ermal Kurtulaj, ku rezulton i punësuar edhe vëllai i tij, Sabian Kurtulaj.

Më pas, ka edhe një faturë të lëshuar kundrejt shoqërisë FIAA, pjesë e hetimeve, në vlerën 946 mijë lekë, por e cila më pas është anuluar, me përshkrimin Materiale Promocionale.

Edhe në këtë shoqatë, koordinator rezulton Kurtulaj.

Një tjetër kompani e përfshirë është ajo Landways International, e cila operon në fushën e shitjes së biletave të avionëve, trageteve dhe trenave në të gjithë destinacionet, si edhe udhëtime turistike apo transport, marketing, organizime të ndryshme dhe makina me qera.

Shoqëria Albanian Food and Hospitality Lab me emërtimin Gzona, ka kaluar disa fatura ndaj këtij subjekti, në vlera 80 mijë lekë, 90 mijë lekë, 4 milionë e 189 mijë lekë, dhe 49 mijë lekë.

Kryesisht, këto janë dhënë për shërbime kateringu.

Të dhëna ka edhe se janë lëshuar fatura nga projekti EUSAIR (pjesë e SASPAC), ndaj shoqatave të lartpërmendura, në vlera të konsiderueshme prej mijëra eurosh.

Po ashtu, në hetimet e SPAK, bien në sy edhe mjetet në pronësi të Kurtulajt, vëllait të tij, të cilat mendohet realisht se janë pasuri të Beqajt, por të fshehura në pronësi të tyre.

Dosja e Sterilizimit dorëzohet në GJKKO – Çfarë akuzash rëndojnë mbi Beqajn dhe 8 të arrestuarit e tjerë?

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore