Lajme

Arrestohen katër zyrtarë të Telekomit për keqpërdorimit të pozitës zyrtare


Katër persona janë arrestuar sot pas një aksioni të Policisë, në Telekomin e Kosovës.

Ky aksion është realizuar nga Prokuroria e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Krimeve Ekonomike, dhe bëhet fjalë për arrestimin e katër zyrtarëve të Telekomit të Kosovës.

Zyra për media në Polici ka bërë të ditur se “me urdhëresë të Gjykatës kompetente Policia e Kosovës ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare”.

Ndër të tjera, Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni është realizuar në rajonin e Prishtinës, dhe informatat tjera do të publikohen pas kompletimit të rastit.

Në një njoftim për medie, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të rënda, Njësiti për Krime Ekonomike në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë, kanë arrestuar T.M., A.O., K.M., dhe D.Ć.

Dy të parët, T.M., dhe A.O., dyshohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”. Ndërsa, personat me inicialet K.M., dhe D. Ć., dyshohen se kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe “Mashtrimi”.

Dy nga këta persona të arrestuar të martën dyshohet se veprat i kanë kryer në cilësi të personave zyrtar në Telekomin e Kosovës, të cilët dyshohen se gjatë zbatimit të kontratës të lidhur kontrata në mes Telekomit të Kosovës dhe një operatori ekonomik, në vlerën 327,514 €.

Gjithashtu në njoftim të Prokurorisë thuhet se “kanë keqpërdorur për përfitime personale këtë kontratë, duke i shkaktuar dëm Telekomit të Kosovës në shumën prej treqind e njëzet e shtatë mijë e pesëqind e katërmbëdhjetë (327,514 ) euro”.

Ndërsa dy të dyshuarit tjerë duke vepruar në bashkëkryerje dyshohet se kanë përpiluar dhe vulosur dokumentacion të falsifikuar me përmbajtjeje të rreme, në emër të personave të tjerë.

Katër të dyshuarit në këtë rast, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë nën masën e ndalimit për 48 orë, deri në vendimin e radhës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore