Lajme

Arrestohen katër policë e tre qytetarë pas konfliktit në mes vete


Inspektorati Policor i Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka arrestuar katër zyrtar policorë dhe tre qytetarë për “Lëndim trupor”.

Përmes një komunikate për media nga IPK-ja është thënë se arrestimet kanë ndodhur pas një mosmarrëveshje që kanë pasur të dyja palët.

“Inspektorati Policor i Kosovës nga Policia e Kosovës, ka pranuar njoftimin se katër zyrtarë policor të cilët ishin qenë jashtë detyrës zyrtare me veturë private kishin pasur një mosmarrëveshje në komunikacion në dalje të Autostradës në fshatin Mazgit me tre qytetarë të cilët kishin qenë duke drejtuar një automjet të modelit kombi”.

Pas mosmarrëveshjes është thënë se të dyja palët kanë nisur një konflikt fizik.

“Pas mosmarrëveshjes të dy palët kanë ndalë automjetet e tyre në rrugë dhe kanë filluar një konflikt fizik mes vete, me ç’ rast nga të dy palët kanë pësuar lëndime trupore”.

“Hetuesit e IPK-së dhe Prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore Prishtinë, pas analizimit të rastit, rastin e kanë proceduar si vepër penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185 i KPRK-së, dhe në cilësi të dyshuarit kanë intervistuar të gjithë personat e përfshirë në rast”.

Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka lëshuar Aktvendim mbi ndalimin e katër policëve dhe tre qytetar për 48 orë.

Kurse për veprimet e tjera është thënë se do të ndërmerren në konsultim me prokurorin e shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore