Lajme

Arrestohen dy të dyshuar në Prishtinë, e rrëmbyen një person


Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona në Prishtinë pasi dyshohet se kanë rrëmbyer një person, e kanë sulmuar fizikisht dhe i kanë marrë veturën e telefonin.

“Personat e dyshuar: A.K, mashkull 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe A.P, mashkull 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit, të arrestuarit dyshohen për veprat penale “privim i kundërligjshëm nga liria”, “lëndim trupor” dhe “vetëgjyqësi”.

Ndërsa Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka gjetur në Viti 43 paketa me mallra – suplemente (proteina) të llojeve të ndryshme me peshë rreth 210 kg, me vlerë sipas tregut rreth 18.000 euro dhe është arrestuar një person

“I dyshuari mashkull kosovar me iniciale R. T., tek i cili gjatë kontrollimit të mjetit janë gjetur të ngarkuara 43 paketa me mallra-suplemente (proteina) të llojeve të ndryshme me peshë rreth 210 kg, me vlerë sipas tregut rreth 18.000 euro, mall për të cilin nuk kishte asnjë dokument mbi prejardhjen e tij, i cili dyshohet se ishte kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga RMV-RKS”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin thuhet se është kryer edhe kontrolli në një lokacion tjetër të dyshuar por nuk është gjetur sasi e mallrave tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore