Shqipëria

Arrestohen 5 persona me urdhër të SPAK, mes tyre Akil Nerjaku


Pesë persona janë arrestuar me një urdhër nga Prokurioria e Posaçme SPAK, ku mes tyre është edhe Akil Nerjaku, shënjestër e një atentati me snajper në Durrës në shtator të vitit 2022.

Nerjaku njihet po ashtu edhe si një prej kundërshtarëve Aleksandër Lahit në Durrës, i njohur ndryshe si “Rrumi”.

Atentati ndaj tij i bërë më 12 shtator 2022, ka ndodhur në Durrës, kur ai ndodhej në mjetin e tij. Por, falë makinës së blinduar, ai i ka shpëtuar plumbave.

Si shkak për sulmin, mendohet të ketë qenë prishja e pazareve të drogës.

Emrat e katër personave të tjerë të arrestuar për llogari të SPAK-ut ende nuk dihen.

Teksa, veprimi, ka ardhur pasi një bashkëpunëtor i drejtësisë ka rrëfyer lidhur me një ngjarje të rëndë kriminale në vend.

Urdhrin për arrestim e ka firmosur Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ndërsa, mësohet se Nerjaku, është vënë në pranga teksa një tjetër operacion, për kapjen e Ramazan Rrajës, po kryhej në Nikël.

Rraja akuzohet për atentatin e kryer ndaj prokurorit Arjan Ndoj më 1 tetor 2019, ku i vrarë mbeti shoferi i tij, Andi Maloku.

Mbi bazën e lëshimit të urdhër arrestit, efektivët policorë kanë shkuar të gjejnë në banesë Ramazan Rrajën, por në aksionin e organizuar, i vetmi në ambientet e shtëpisë, ka qenë xhaxhai i tij, Rrahman Rraja, i cili është po ashtu deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas këtij të fundit, ai jeton aty me familjen e tij, në Nikël, në një vilë tre-katëshe. Ndërsa, nipi i tij, Ramazani, prej kohësh është transferuar në Tiranë me banesë.

Pas dy orëve kontroll të imtësishëm në banesë, efektivët nuk kanë gjetur asnjë gjurmë nga Rraja e as indicie të mundshme, të cilat mund të shpinin në gjetjen e tij, apo prova të tjera.

Ndërsa, mbi rastin e pesë të arrestuarve të tjerë, pritet një komunikatë zyrtare nga SPAK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore