Lajme

Armët dhe pajisjet me të cilat Italia do ta furnizojë Ukrainën – që nga raketat, predhat e deri tek ushqimi


Italia është gati të bëjë pjesën e saj për të mbrojtur Ukrainën në luftën me Rusinë.

Pas fjalimit në Parlament të Kryeministrit të Italisë, Mario Draghi, dhe dritës jeshile të Dhomës dhe Senatit, ka nisur misioni ushtarak për dërgimin e armëve dhe pajisjeve “për autoritetet ukrainase” .

Bëhet fjalë për armatime të ndryshme ushtarake, si: raketa, mortaja, predha, mitraloza të lehtë dhe të rëndë, mjete komunikimi, si dhe pajisje të ndryshme logjistike.

Sipas dekretit të miratuar nga qeveria, bëhet fjalë për një dërgesë direkte.

Do të jetë NATO që do të kujdeset për shpërndarjen.

Fillimisht, armët dhe pajisjet do të transportohen me rrugë ajrore deri në kufi dhe, më pas, do të vihen në dispozicion të Kievit me rrugë tokësore.

Kryeministri Draghi para mediave tha se “Kërcënimet me ‘pasoja që nuk i keni përjetuar asnjëherë më parë’ për të gjithë ata që ndërhyjnë në pushtimin e Ukrainës, dhe paralajmërimi për përdorimin e armëve bërthamore, kërkon që të veprojmë me shpejtësi, vendosmëri dhe së bashku”.

“Nëse tolerojmë një luftë agresioni ndaj një shteti sovran në Evropë”, theksoi ai, “do të thotë të vëmë në rrezik ndoshta të pakthyeshëm, paqen dhe sigurinë në Evropë”.  

Lista me llojet e armëve dhe pajisjeve

Llojet e armëve që do të dërgohen, të renditura në listën që do t’i bashkëngjitet dekretit të qeverisë, janë: “Mortaja 120mm, predha mortaje 120 mm, raketa kundër ajrore Stinger, mitraloza të rëndë Browining, fishekë Browining, mitraloza të lehtë MG, fishekë MG, predha, predha antitank, ushqim i gatshëm, radio Motorola, helmeta, jelekë anti-plumb”.

Bëhet fjalë për qindra mortaja dhe mitraloza, si dhe raketa-hedhëse, miliona municione, mijëra helmeta dhe jelekë, si dhe K-Rations (vakt i përditshëm ushtarak, i prezantuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1942, gjatë Luftës së Dytë Botërore).

Stinger është një raketë kundërajrore portative, me një kokë që ndjek nxehtësinë dhe, për këtë arsye, ndjek gjurmët e emetuara nga aeroplanët.

Ka rreze të shkurtër, por është shumë efikase për mbrojtjen, kryesisht kundër helikopterëve që fluturojnë në lartësi të ulëta. Mund të përdoret nga një-dy persona.

Në vend të kësaj, mortajat 120 janë artileri me gjuajtje të lakuar (indirekte), që konsiderohen efektive në luftimin kundër personelit dhe mjeteve të lehta në pozicionet mbrojtëse dhe në zonat urbane.

Vendimi i Bashkimit Evropian (BE)

Vendimi për t’i dërguar armë qeverisë së kryesuar nga Volodymyr Zelensky është marrë nga BE-ja.

Shumë shtete tashmë kanë pajisur si me armatim, ushtarë, ashtu edhe me pajisje: tenda, helmeta, jelekë anti-plumb, spitale fushore, por edhe Toyote, pajisje satelitore.

Në raportin shoqërues shkruhet se: “Forcimi i mjeteve mbrojtëse dhe parandaluese të NATO-s ka për qëllim ruajtjen e integritetit të aleancës, forcimin e kapaciteteve vëzhguese dhe gatishmërinë për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi. Kontributi kombëtar konsiston në aktivizimin e aftësive ndërpersonale të vëna në dispozicion brenda forcave aleate me gatishmëri të lartë”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore