Kosova

Armatimi i konfiskuar në Veri, Sveçla: E bën të qartë edhe për ndërkombëtarët gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e Veriut


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e Veriut të vendit tonë”, ka thënë Xhelal Sveçla, pas konfiskimit të një sasie të konsiderueshme të armatimit në Veri këtë të shtune.

Përmes një postimi në Facebook, Ministri i Punëve të Brendshme tha se armatimi i konfiskuar në Veri e bënë të qartë edhe për ndërkombëtarët planin e Serbisë për aneksimin e Veriut të vendit përmes agresionit terrorist të 24 shtatorit.

“Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist”, shkroi.

Një pjesë e armatimit që u konfiskua të shtunën.

Ky armatim që u zbulua gjatë bastisjes së Policisë së Kosovës në shtatë lokacione të ndryshme në Veri, Sveçla thotë se bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjës.

“Ne pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës”, shtoi.

Ndryshe, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale, në një komunikatë të përbashkët për media, gjatë ditës, ka bërë të ditur se ka përfunduar kontrolli në shtatë lokacione në Veri të Kosovës, ku ka gjetur armë, municione, mjete shpërthyese e pajisje tjera ushtarek.

“Prokuroria Speciale njofton se me urdhër të gjykatës, Policia e Kosovës ka zhvilluar kontrolle në shtatë lokacione në pjesën veriore të vendit, që lidhen me ngjarjet e 24 shtatorit 2023. Po ashtu, ju njoftojmë se kontrollet janë kryer në lokacione të ndryshme, katër në Mitrovicën e Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë”, thuhet fillimisht në komunikatë për media.

Gjatë këtyre kontrolleve, në një podrum të njërit nga tre soliterët në Mitrovicën e Veriut, janë gjetur një sasi municioni, kallashnikovë, zola, eksploziv.

“Pjesëmarrës në këto kontrolle ishin edhe zyrtarë nga EULEX-i, kurse te tre rrokaqiejt prezent kanë qenë edhe EOD -KFOR-i, po ashtu EOD e Policisë së Kosovës është në vend të ngjarjes”.

“Eksplozivë”, “zola”, “minë kundër këmbësorisë” – Policia tregon se çfarë gjeti në kontrollin e 7 lokacioneve në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore