Sport

Armand Duka bëhet “dukë” në FSHF, fiton mandatin e gjashtë radhazi


Armand Duka është rizgjedhur në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe për një tjetër mandat katërvjeçar qeverisës.

Në zgjedhjet e mbajtura këtë të martë të 15 marsit në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë, Duka arriti të fitonte përballë dy rivalëve të tjerë, Dritan Shakohoxha dhe Sulejman Starova.

Duka arriti të kalonte pragun e 29 votave për t’u zgjedhur President. Ai arriti të merrte ekzaktësisht 37 vota, duke lënë pas Starovën me katër vota dhe Shakohoxhën pa asnjë votë. Dy vota rezultuan të pavlefshme.

Shakohoxha nuk ishte i pranishëm në këto zgjedhje pasi i konsideroi si të paligjshme.

“Nga 43 votues të vlefshëm, pjesëmarrës të rregullt, kemi dy fleta të pavlefshme për gabime teknike, kemi katër vota për zotin Sulejman Starova dhe diferenca prej 37 votash, më shumë se kuorumi e shpall zotin Armand Duka president të FSHF”, tha kryetari i Komisionit të verifikimit, Koço Kokëdhima duke mbyllur kështu procesin zgjedhor për kreun e ri të qeverisë së futbollit shqiptar.

Të pranishëm në zgjedhje ishin 43 delegatë nga 55 që duhet të ishin. Por, pjesa tjetër e bojkotuan asamblenë pasi zgjedhjet janë cilësuar si të manipuluara për të shpallur fitues Dukën.

Duka foli menjëherë pas shpalljes së tij si fitues i zgjedhjeve, duke thënë se “Jam vërtet i emocionuar dhe në të njëjtën kohë i obliguar për këtë votëbesim nga ana juaj”.

“Padyshim që secili nga ju, përveç votës e ka një vërejtje për mua. Por edhe ata që nuk janë në këtë sallë. Të gjitha këto vërejtje i kam dëgjuar dhe do vazhdoj t’i dëgjoj, do të mundohemi t’i korrigjojmë gjatë këtij katërvjeçari”.

“Ndërkohë, vazhdoj të dëgjoj baltë, shpifje e ofendime. Ju siguroj se do t’i shmang ato me sportivitet. Sot është një ditë e mbarë, do të dëshiroja që pas një periudhe të vështirë, të lëmë pas atë që kemi kaluar gjatë këtyre dy muajve”.

“Bashkë me ju e ata që nuk janë në sallë, me të gjithë aktorët e faktorët e vendit, të derdhim energjitë pozitive për futbollin, lojën tonë të dashur”.

“Ju falënderoj përzemërsisht për mbështetjen dhe ju garantoj se do të jem në shërbimin tuaj gjatë katër viteve të ardhshme”, shtoi kreu i FSHF-së, që ka në këtë post që nga viti 2002.

Në këto zgjedhje FIFA dhe UEFA kishin dërguar përfaqësuesit e tyre për të vezhguar procesin. Nodar Akhalkatsi dhe Sofia Malizia ishin përfaqësues të FIFA-s. Ndërsa, Zibi Boniek, Thierry Favre dhe Luca Nicola ishin përfaqësuesit e UEFA-s.

Zgjedhjet në FSHF do të duhet të mbaheshin më 2 mars. Por, Gjykata e Tiranës pas disa ankesave që mori nga Shoqatat Rajonale të Futbollit (SHRF) mbi manipulimin që po bëhej në to me synimin për të ndikuar në zgjedhjet e përgjithshme vendosi që të mos kishte zgjedhje më 2 mars.

Ndërsa, asambleja u mblodh në atë datë dhe vendosi që zgjedhjet të mbaheshin më 15 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore