Lajme

Arifi me akuza të rënda ndaj Kurtit, e quan “tradhtar kombëtar”


Albin Kurti dhe Shqiprim Arifi

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në një intervistë për “EuroNews Albania”, ka hedhur akuza të rënda kundrejt Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e konsideruar atë si “tradhtar kombëtar”.

“Për neve në Luginë të Preshevës, Albin Kurti është tradhtar kombëtar”, ka thënë Arifi.

Për ta shpjeguar këtë akuzë tejet të rëndë, ai përmendi Marrëveshjen e Ohrit, e dakorduar më 18 mars në mes të Kosovës dhe Serbisë në Maqedoni të Veriut.

“Sepse me Marrëveshjen e Ohrit e ka varros aspiratën tonë për të qenë pjesë e Kosovës”, theksoi.

Pos kësaj, ai pati edhe kritika të tjera ndaj kreut të ekzekutivit kosovar, duke deklaruar se nuk njeh ndonjë person tjetër që brenda tri viteve ka bërë më shumë kompromise sesa Kurti.

“Albin Kurti e ka pranuar Asociacionin [e Komunave me Shumicë Serbe], të cilin e ka kundërshtuar për 10 vite. E ka pranuar Marrëveshjen e Ohrit, ku ka pranuar që të tërhiqet nga reciprociteti. Ka pranuar që ideja që Lugina e Preshevës të jetë një vend ku reciprociteti të implementohet, të mos jetë fare në Marrëveshjen e Ohrit”, potencoi.

Sa i përket avancimit të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, pasi që janë të shtypur sistematikisht nga institucionet serbe, Arifi tha se shpresën e kanë tek dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne presim që në kuadër të këtij dialogut, që jemi viktimë e këtij dialogu, të paktën, minimum që të mos neglizhohemi nga Prishtina zyrtare dhe të mos përçahemi nga Prishtina, siç ka ndodhur kohëve të fundit nën udhëheqjen e Kurtit”.

Kryetari i Preshevës edhe më herët kishte drejtuar akuza në drejtim të Kryeministrit të Kosovës, mirëpo jo deri në këtë nivel.

Mospajtimet në mes të Arifit dhe Kurtit janë krijuar pasi që i fundit i ka dhënë mbështetje kundërshtarëve politikë të Arifit në Luginë të Preshevës.

Ai e ka mbështetur Ardita Sinanin – tanimë këshilltare e tij – në kohën kur Arifi po tentonte që ta zinte vendin e saj në krye të Komunës së Preshevës.

Ndaj akuzave të Arfiti, deri më tani – asnjëherë – nuk u është përgjigjur kreu i ekzekutivit kosovar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore