Lajme

Arifi dënohet me 500 euro për vendosjen e flamurit shqiptar në Bujanoc


Vendosja e flamurit kombëtar shqiptar në Luginë.

Mbi 50 mijë dinarë është dënuar Partia Alternative për Ndryshim, ndërsa 5 mijë dinarë është dënuar kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Lajmin e ka bërë të ditur Arifi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“55.000 dinarë dënim për vendosjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Sot kam pranuar dënimin prej 55.000 dinarë nga Gjykata për Kundërvajtje në Vranjë lidhur me vendosjen e flamurit kombëtar në selinë e Alternativës për Ndryshim — dega Bujanoc, me rastin e festës së 28 nëntorit, ditës së Flamurit”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka thënë se ky vendim është nxjerr nga gjykata për shkak të vendosjes së flamurit kombëtar shqiptar në selinë e partisë Alternativa për Ndryshim

“Me ç’rast ky dënim përbëhet prej 5000 dinarëve ndaj mua si person përgjegjës në pozitën e kryetarit të partisë “Alternativa për Ndryshim”, ndërkaq 50.000 dinarë për subjektin politik që kam drejtuar deri në shkurt të këtij viti, kur është datuar edhe ky aktvendim”.

“Ky aktvendim është pjesë e kolazhit diskriminues dhe shkeljeve të drejtave sistematike individuale, kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

Arifi ka shtuar se derisa pushteti në Kosovë po punon për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në Luginë vazhdojnë të mohohen të drejtat e shqiptarëve.

“Derisa përgatitjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë në fazën finale për themelimin e ashtuquajturës “Asociacioni i komunave me shumicë serbe — Zajednica” me kompetenca të plota ekzekutive, shqiptarëve në Luginën e Preshevës i mohohen të drejtat elementare njerëzore siç është vendosja flamurit kombëtar”.

“Sa më shumë të drejta për serbet në Kosovë aq më pak të drejta për shqiptarët në Serbi. Deri kur?”.

Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës vazhdimisht janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61 mijë e 687 shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore