Lajme

Ardhja e Veselit në varrimin e babait?


Ende nuk dihet nëse do të marrë pjesë në varrimin e babit Fazliut, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Zëdhënësja për media e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, ka thënë për Albanian Post se “paneli është ai që vendos për kërkesa të tilla”.

”Kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon personat e ndaluar të bëjnë kërkesa tek Paneli kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendosë për kërkesa të tilla”, tha Griep.

Ndërkohë tashmë familjarët e Veselit, i cili gjendet në Hagë për shkak të akuzave nga Gjykata Speciale, kanë njoftuar se ai u ka dhënë leje familjarëve të tij, të vazhdojnë me procedurat e varrimit të babait të tyre. Kjo edhe nëse ai nuk arrin në kohë që të jetë prezentë në këtë ceremoni mortore.

Mëngjesin e të mërkurës ka vdekur Fazli Veseli, babai i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-lideri të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.

Lajmin për vdekjen e Fazli Veselit, për Albanian Post, e kanë konfirmua zyrtarë të PDK-së.

Fazli Veseli prej muajit maj po qëndronte në spital pas një ataku që kishte pësuar në tru.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka shkruar se lajmin për vdekjen e “Bacës Fazli” e ka marr me dhembje të thellë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore