Lajme

Vdes Fazli Veseli, babai i Kadri Veselit


Fazli Veseli

Mëngjesin e të mërkurës ka vdekur Fazli Veseli, babai i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-lideri të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.

Lajmin për vdekjen e Fazli Veselit, për Albanian Post, e kanë konfirmua zyrtarë të PDK-së.

Fazli Veseli prej muajit maj po qëndronte në spital pas një ataku që kishte pësuar në tru.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka shkruar se lajmin për vdekjen e “Bacës Fazli” e ka marr me dhembje të thellë.

Ai ka shkruar se “Baca Fazli ishte një burrë që gjatë gati një shekulli jetë, secilën ditë ia kushtoi Kosovës. Si baba, ai rriti dhe edukoi të gjithë fëmijët e tij në frymën atdhetare. Si shqiptar, sakrifikoi dhe dha gjithçka nga vetja për lirinë e vendit tonë”.

Krasniqi ka thënë se me mendje e me zemër janë “pranë kryetarit Veseli në Hagë dhe familjes Veseli në Mitrovicë. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ngushëllimet më të thella”, ka shkruar ai.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj lajmin për vdekjen e Fazli Veselit e ka pritur me pikëllim duke thënë se  ai ishte babai i “luftëtarit të orëve të para, bashkëthemeluesit të UÇK-së, ish kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli”.

Ai ka shkruar se “Baca Fazli iku nga kjo botë duke lënë mbrapa një jetë të tërë me sfida. Vdekjet nuk janë të lehta, pavarësisht moshës, por vdekja e bacës Fazli vjen në një moment të rëndë për familjen Veseli për shkak të rrethanave tanimë të njohura”.

Haradinaj ka thënë se ndanë dhembjen me “mikun e bashkëluftëtarin tim Kadriun dhe mbarë familjen Veseli!”, ka hkruar ai.

Para se të filloj seanca e cila po zhvillohet të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i ka shprehur ngushëllime familjes Veseli për humbjen e Fazli Veselit.

“Në emër të Kuvendit, i shprehim ngushëllime familjes Veseli për vdekjen e babait të tyre”, ka thënë Konjufca.

Gjithashtu, pas marrjes së këtij lajmi, ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të këtij subjekti politik, Enver Hoxhaj, ka shkruar se Fazli Veseli ishte besimplotë dhe i palëkundur që “Kosova do bëhet”. Sipas Hoxhajt, Veseli ishte njeri motivues për realizimin e punëve të nisura nga i biri i tij.

”I paska mbyllur sytë përjetësisht babai i Kadrisë, Fazli Veseli! Herën e fundit kur e takova, pak ditë pasi Kadriu ishte nisur për në Hagë, ma shtërngoi dorën në shtëpinë e tij në Mitrovicë, ishte besimplotë dhe i palëkundur se Kosova do të bëhet”.

“Ishte ai që me fjalët e tij na motivoi ne se duhet të mbledhim forcat dhe dhimbjen ta kthejmë në energji për të vazhduar punën e kryetarit Veseli në shtetndërtimin e Kosovës”, ka shkruar Enver Hoxhaj.

Fazli Veseli dhe Enver Hoxhaj

Ndër të tjera ai ka shkruar se ai ishte një baba shembullor se si duhet edukuar fëmijët.

“Një baba shembull që i edukoi të gjithë fëmijët e tij me ndjenjën e përhershmë të atdhedashurisë. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, ka shkruar ai.

Për vdekjen e Fazli Veselit kanë shkruar edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, Sami Lushtaku, ish Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe shumë personalitete të tjera.

Gjatë muajit maj të këtij viti, Kadri Veseli kishte udhëtuar nga Haga për ta vizituar babanë e tij, i cili ndodhej në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Me t’u kthyer në Kosovë, Veseli ishte vizituar spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, nën përcjelljen e forcave të shumta të sigurisë, përfshirë Policinë e Eulex-it.

Por, nuk është konfirmuar ende nëse Kadri Veseli do të mund të kthehet në vendlindje për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore