Lajme

Arabia Saudite po projektohet si furnizuesja globale e hidrogjenit


Arabia Saudite kërkon të bëhet një furnizues global i hidrogjenit, duke përdorur hidrokarburet e kombinuara me ruajtjen e emetimeve të karbonit.

Gazeta arabe “Asharq Al-Awsat” shkruan se sipas një raporti, lëvizja vjen si një mjet kyç për të diversifikuar profilin e eksportit larg naftës.

“Burimet e mëdha hidrokarbure të Mbretërisë, kapacitetet ekzistuese industriale dhe ekspertiza e biznesit e bëjnë atë një kandidat furnizues tërheqës për ato ekonomi të varura nga importi i energjisë që kanë filluar të eksplorojnë importet e hidrogjenit”.

Kështu ka analizuar Jane Nakano, një anëtare e lartë në Programin e Sigurisë së Energjisë dhe Ndryshimeve Klimatike në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington.

Ndërkaq, në raport thuhet se “teksa hidrogjeni ka të ngjarë të flasë për fuqinë e Arabisë Saudite si një furnizues energjie, zhvillimi i një tregu automjetesh me qeliza karburanti dhe kapaciteti i prodhimit të tyre në shtëpi, mund ta ndihmojë vendin të përmbushë disa nga mandatet kryesore të Vizionit Saudit 2030”.

Në të përfshihen gjëra të tilla si zhvillimi i sektorëve të rinj industrialë dhe diversifikimi i eksporteve të tyre.

Sipas analistes, Arabia Saudite dëshiron të bëhet furnizuesja kryesore e hidrogjenit në mbarë botën. Dhe se prodhimi i hidrogjenit do ta lejonte atë të bëhej më pak e varur nga nafta vendase.

Nga ana tjetër, mund të jetë me vlerë të veçantë për Mbretërinë në botën e kufizuar nga karboni që karakterizohet nga një valë objektivash për zero emetime nga qeveritë dhe industritë anembanë botës.

“Asharq Al-Awsat” tregon se Mbretëria ka objektiva të prodhimit të pastër të hidrogjenit prej 2.9 milionë tonësh në vit deri në vitin 2030 dhe katër milionë ton në vit deri në vitin 2035.

Referuar raportit, fokusi aktual është të fitohet një pjesë e madhe e tregut në hidrogjenin blu, veçanërisht në formën e amoniakut blu në dekadën e ardhshme.

Nakano gjithashtu e ka përshkruar si një hap të madh vendimin në shtator 2020 që kompania Saudi Aramco të dërgonte 40 ton amoniak blu nga Arabia Saudite në Japoni.

Sipas saj, ky “ishte demonstrimi i parë në botë i zinxhirëve të furnizimit të amoniakut blu, që përfshin prodhimin dhe transportin ndërkombëtar detar të tij”.

Dhe se projekti ka ripohuar “pikëpamjen se zgjidhjet ekzistuese teknologjike mund të ndihmojnë në ofrimin e zgjidhjeve me kosto efektive dhe të shkallëzuara me emetim të ulët”.

Për Nakano, hidrogjeni me bazë burimet e rinovueshme është fokusi kryesor i eksperimenteve teknologjike dhe ekonomike në qytetin futuristik të Neom-it, i cili ka një projekt hidrogjeni të gjelbër prej pesë miliardë dollarësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore