Lajme

Arabi Saudite – arkeologët zbulojnë rrugët 4500-vjeçare ku shtrihen varret antike


Rrugët 4500-vjeçare në Arabinë Saudite ku shtrihen varret antike

Në Arabinë Saudite arkeologët kanë zbuluar një rrjet të gjerë rrugësh, ku mendohet se shtrihen varre të lashta që janë rreth 4500-vjeçar.

Sipas tyre, banorët arabë i ndërtuan këto rrugë në veriperëndim të Arabisë Saudite, për të patur një “urë lidhëse” mes vendodhjes së varrezave të lashta me kullotat në distanca të gjata.

Rruga më e gjatë e evidentuar ka qenë 170 km.

Ndër të tjera, grupi i arkeologëve australianë mendon se në epokën e hershme dhe të mesme të bronzit, këto rrugë jua kanë lehtësuar punën beduinëve, për t’i çuar kafshët e tyre drejt burimeve nënujore.

Siti arkeologjik i zbuluar në Arabinë Saudite

Gjithashtu ky “rrjet rrugësh është dëshmi e asaj që popullatat, të cilat jetonin në Gadishullin Arabik 4 mijë e 500 vjet më parë ishin shumë më të lidhura socialisht dhe ekonomikisht me njëra-tjetrën sesa mendonim”, u shpreh arkeologu udhëheqës, Matthew Dalton, nga Universiteti i Australisë Perëndimore.

“Peizazh mbresëlënës dhe unik”

Megjithatë, për CNN, Dalton shpjegoi se “për të mbërritur në zbulimin e këtyre rrugëve që të çojnë në varreza të lashta, u përdorën imazhe satelitore, fotografi ajrore nga një helikopter, sondazhe tokësore dhe pa fund gërmime”.

Ai u shpreh i emocionuar për peizazhin mbresëlënës që të ofron ky rrjet rrugësh.

Rruga e rrethuar me varre antike

Hapi i radhës për grupin e arkeologëve, sipas tij, do të jetë në Jemen, veçanërisht pasi varre të ngjashme gjenden si në atë vend, ashtu edhe në Sirinë Veriore.

“Mijëvjeçari i tretë është një periudhë e rëndësishme, pasi është koha kur u ndërtuan piramidat dhe kur shumë kultura të ndryshme ndërvepruan me njëra-tjetrën për herë të parë në një shkallë të gjerë”.

Ai, gjithashtu, tha se imazhet e këtij siti arkeologjik mund të shqyhen shumë mirë nga lart dhe se detaje të mëtejshme rreth këtij zbulimi do të botohen në revistën shkencore “Holocene”.

Marrë nga CCN, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore