Lajme

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, strategji që mund të rezultojë e qëlluar


Profesori universitar, Ibrahim Gashi dhe Aktivistja për Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko

Kosova synon të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit, ka bërë të ditur kohëve të fundit Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Një prospekt i tillë, paramendueshëm me shumë barriera në horizont, megjithatë vlerësohet të jetë i duhur.

Profesori universitar Ibrahim Gashi dhe aktivistja Sonja Biserko, këtë e shohin si një presion të llojit të butë ndaj Brukselit në qasjen e tyre ndaj Kosovës.

“Qeveria dhe zoti Kurti janë koshientë për vështirësitë që ka Kosova në rrugën e anëtarësimit në BE”, shpjegon për Albanian Post profesori Gashi.

“Paralajmërimi për aplikim konsideroj se në një farë mënyre është një lloj presioni i butë mbi autoritetet në Bruksel të cilat nuk mund pafundësisht të kërkojnë lojalitetin e Kosovës duke mos i dhëne asaj asgjë konkrete”, thotë ai.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, është e së njëjtës linjë të mendimit. Përtej kësaj, ajo e sheh edhe në dobi të rajonit.

“Duke aplikuar për në BE, qeveria e Kosovës është qartazi duke provuar të detyrojë BE-në të merr një pozicion më aktiv jo vetëm ndaj Kosovës, por ndaj rajonit si tërësi”.

“Kosova padrejtësisht neglizhohet kur vjen puna te integrimet evropiane”, tha ajo për Albanian Post

“Fakti se pesë shtete të Bashkimit Evropian nuk e njohin Kosovën”, është e vërtetë, thotë Biserko, se “e ngadalëson konsiderueshëm këtë proces dhe fuqizon politikat e shantazhit të Beogradit”.

Megjithëkëtë, në dritën aktuale të ngjarjeve gjasat për anëtarësim të ndonjë shteti të Ballkanit Perëndimor në BE, Biserko thotë se “janë të vogla”.

BE duhet të ketë angazhim më të madh në rajon, vlerëson ajo, sidomos në luftimit e aktorëve të tjerë “interesat e të cilëve janë në përplasje dhe në kundërshtim me interesat reale të rajonit”.

“Pavarësisht faktit se Kosova i ka përmbushur kushtet e nevojshme për hyrje në zonën Schengen, ende e ka të pamundur atë”.

Por, për të metat që Kosova mund të ketë për anëtarësim në BE, Biserko e sheh si fajtor edhe misionit evropian të sundimit të ligjit – EULEX’in.

“Duhet po ashtu ta kemi në mend se EULEX-i është misioni më i madh ndonjëherë i BE-së dhe se është përgjegjës për shumë të meta në Kosovë”, shprehet ajo.

Si pikat strategjike më të cenueshme në Ballkan dhe për të cilat do të duhej të kishte trajtim më të drejtë, Biserko thotë se është Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi si parakusht për integrim në BE

“Padyshim çështja e përfundimit më sukses të procesit të dialogut do të jetë kushti kryesor i përafrimit të Kosovës dhe Serbisë me mundësinë e integrimit të tyre në BE”, thotë profesori i shkencave politike, Ibrahim Gashi.

Edhe vetë lajmërimin e aplikimit të Kosovës në BE, Gashi e sheh në linjë me dialogun e Brukselit, përkatësisht gatishmërinë e saj ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve.

“Paralajmërimi për aplikim nga ana e Kosovës, mund të lexohet edhe si një gatishmëri e Kosovës për te lëvizur në dialog dhe anëtarësimi do te ishte një hap formal qe suksesi eventual ne dialog të lidhet me arritje ne procesin e integrimit”.

Megjithëkëtë, normalizimi, sipas Biserko “nuk duket gjëkundi”.

“Vitet e fundit, dialogu praktikisht është në ngërç”.

Në mesin e këtij ngërçi, Biserko thotë se duhet rikujtuar se në një periudhë “ndarja e Kosovës ishte në tavolinë”.

Ndonëse një projeksion i tillë është tejkaluar, “Beogradi qëndron ende në atë pozicion” thotë ajo.

“Qeveria e Kosovës, për aq sa arrij të kuptoj, dëshiron të imponojë veten si faktor të cilit duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje, si faktor që dëshiron të zhbllokojë procesin i cili është në ngërç për vite pa asnjë përparim substancial”.

Masat e reja të qeverisë për reciprocitetin e targave me Serbinë dhe dialogu

“Reciprociteti është i domosdoshëm për palën kosovare” thotë profesori Gashi, ani pse “nuk është se ka ndihmuar deri më tani shumë në procesin e dialogut”.

Çmim më pak i kushtueshëm është “ngadalësimi i dialogut” se sa ajo e “heqjes së masave të reciprocitetit”, vlerëson ai,

“Tani kostoja që mund ta kenë këto masa të reciprocitetit në ngadalësimin e procesit të dialogut është shumë më e vogël se heqja e tyre”.

Krejt kjo, sipas profesorit, është “e domosdoshme”.

“Qartësimi më i mirë i pozitës së Kosovës në dialog është i domosdoshëm”, përfundoi ai.

Edhe aktivistja Sonja Biserko është e së njëjtës mendje me profesorin Ibrahim Gashi. “Reciprociteti është njëra nga kushtet kryesore të normalizimit të marrëdhënieve, e cila zhvillohet në baza të barabarta”.

“Do të thotë, që të dyja palët të jenë barabarta”.

Fati i keq ka qenë, shprehet ajo, se BE ka provuar në mbajë Serbinë në rrugën e saj evropiane, “me politika të së marrit me të mirë”.

“Fatkeqësisht, politika e BE-së e të marrit me të mirë Beogradin me vite, duke pritur progres në dialog që do të rezultonte në njohje të ndërsjellë, nuk ka kryer punë”.

“Një qasje e tillë e BE-së”, sipas Biserkos, “udhëhiqet nga përpjekjet e tyre për ta mbajtur Serbinë në rrugën evropiane”.

“Fatkeqësisht, në rrethanat çfarë janë, Serbia ka marrë anën tjetër dhe sistematikisht po shtrëngon marrëdhëniet me tërë rajonin, përfshirë Kosovën”.

Në këtë drejtim, BE duhet të intensifikojë punën e saj me pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, thotë ajo.

Kjo ngase “duhet të parandalohet destabilizimi i mundshëm i këtyre vendeve, gjë që në mënyrë të vazhdueshme kërcënohet nga Beogradi dhe Moska”.

Edhe takimin në Departamentin Amerikan të Shtetit të liderëve kosovarë, Biserko e sheh si mesazh amerikan ndaj Serbisë, pikërisht për animin e saj nga agresori – përkatësisht, Rusia.

“ShBA është e brengosur që Serbia po merr anën e Rusisë në krizën e Ukrainës dhe se kanë në mendje rreziqet e sigurës për shkak të influencës ruse në rajon”.

“Është e rëndësishme të kemi në mend vizitën e fundit të Kryeministrit të Kosovës në ShBA dhe mesazhin e sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken pas takimit”.

Mbështetje ndaj Kosovës për integrimet e saj ndërkombëtare dhe euroatlantike, dhe rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi, thotë Biserko, “ishin mesazhet e Blinken”.

“Qëllimi i Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në BE duhet të shihet në këtë kontekst”, përfundon ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore