Lajme

Anulohet gjykimi për vrasjen e Ivanoviç-it


Oliver Ivanoviç.

Sërish është anuluar gjykimi për vrajsen e Oliver Ivanoviçit.

Për arsye se dëshmitarja Milena Popoviç, ish-partnerja e Ivanoviç-it, e paraparë të dëshmojë në seancën e sotme nuk ishte prezentë.

Lajmin e ka konfirmuar zyra e gjykatësit të rastit Valon Kurtaj.

“Dëshmitarja Popoviç ka informuar gjykatën se sot nuk mund të jetë prezente, por se e njëjta ka deklaruar se në seancën e nesërme do jetë e gatshme të dëshmojë”, ka thënë ai për “Betimin për Drejtësi”.

Në seancën e fundit të mbajtur me 14 mars, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktvendim që dëshmitarja Milena Popoviç të dëgjohet përmes ndihmës juridike ndërkombëtare.

Më 15 shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë, ua kishte ndërprerë të gjitha masat e sigurisë të akuzuarve për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç, në janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Ndaj Nedelko Spasojeviç (oficer policie), Marko Roshiç (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviç (sekretare e të ndjerit), Dragisha Markoviç (oficer policie), Zharko Jovanoviç (oficer policie) dhe Rade Basara (oficer policie), është bërë ndërprerja e të gjitha masave të sigurisë.

Me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiç (shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Milan Radoiçiç (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Veselinoviç (biznesmen).

Ndaj këtyre personave nuk është ngritur aktakuzë pasi ata ishin në arrati kur Prokuroria Speciale e Kosovës, ngriti aktakuzën e parë.

Në aktakuzë përmenden Radoiçiç dhe Veselinoviç si “udhëheqës të një grupi kriminal” që planifikoi vrasjen e Ivanoviç.

Ndryshe, seanca fillestare në këtë rast ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje. Të gjithë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviçit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore