Lajme

“Anti reklamë, metaforë me thasë, i ka rënë shuplakë vetit”, ekonomistët tallen me deklarimin e Muratit për “thesin e qepur”


“Anti reklamë”, “metaforë me thasë”, “i ka rënë shuplakë vetit”.

Kështu e kanë cilësuar deklaratën e ministrit të Financave, Hekuran Murati, njohësit e çështjeve ekonomike, pasi shefi i Kuletës së Shtetit theksoi të martën se për herë të parë është zvogëluar shuma e shpenzimeve në raport me të ardhurat duke arritur kështu “rekord historik”.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë për Albanian Post se në fakt ajo që ka prezantuar ministri Murati nuk është sukses, por dështim.

“Ky nuk është rezultat. Është dështim”, insiston ai.

“Nuk po tregojnë sa projekte kapitale janë mbetur pa i realizuar dhe sa punëtorë kanë mbetur pa punë. Pra, ky nuk është zhvillim, por stagnim dhe kthim mbrapa”.

Shatrin pohon se është e vërtetë që qeveria “thesit ia ka mbyllë grykën”, por, duke mos i lënë mjetet të dalin nga buxheti dhe të shpërndahen në projekte.

Ndërsa sipas, ish-kryetarit të Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqit, tash anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, “një metaforë me thasë nuk mjafton për ta shpjeguar katastrofën e menaxhimit, jo vetëm të buxhetit po në tërësi të ekonomisë nga kjo Qeveri”.

Ai shprehet i bindur se ky nuk është sukses, “por lajm i keq për ekonominë”, pasi sipas tij, tregon se Qeveria ka shpenzuar shumë pak, e sidomos në investime kapitale, të cilat janë jetike për zhvillimin ekonomik.

“Është rregulla tre për qind që i lejohet çdo qeverie që të hyjë në deficit buxhetor, po ashtu edhe borxhi publik e ka limitin 60 për qind të GDP (bruto produktit vendor), kështu që çka do që na tregon jashtë kësaj, duke mos na shpjeguar nga erdhi ky zvogëlim i deficitit, por duke tentuar që të na manipulojë me këto lloj përqindjesh, faktikisht tregon që Qeveria është jashtëzakonisht e dëmshme për zhvillimin ekonomik të vendit”.

Prandaj, shton se kjo Qeveri ose duhet t’i jap drejtim këtë pjesë të mandatit që i ka mbetur ekonomisë së vendit, ose realisht do të na fusë në “probleme të mëdha”, për të cilat Rukiqi alarmon se çdo Qeveri tjetër do ta ketë të vështirë t’i skanojë.

Berat Rukiqi

I befasuar me deklaratën e ministrit Murati se “financat publike janë kthyer në binarë”, shprehet edhe ekonomisti Shyqeri Bytyqi.

“Të deklaron një ministër i financave se e kemi kursyer buxhetin është me i ra shuplakë vetit, sepse si financier që është duhet ta kuptojë mirë së çfarë demi i shkakton ekonomisë së vendit mosrealizimi i planifikuar buxhetor”, shpjegon Bytyqi për AP.

Te kjo Qeveri, Bytyqi potencon se janë parë dy gjëra, “mungesa e vizionit për politika zhvillimore dhe mos guximi për të vepruar në kriza”.

Madje, ai sqaron se “kanë treguar se janë të gatshëm të shpërndajnë para që nuk sjellin asnjë progres për vendin, përkundrazi zhgënjim e humbje shprese”.

“Planifikimi i mirë buxhetor arrihet kur kemi realizim të plotë të tij”, pohoi ai.

Shyqeri Bytyqi

Në përgjithësi, çdo shtet që deficitin buxhetor e ka të ulët, atëherë ekonomia e atij shteti është në nivel të duhur, mirëpo jo gjithmonë zvogëlimi i deficitit buxhetor nënkupton një ekonomi të zhvilluar, apo garantim të mirëqenies së qytetarëve.

Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Të martën Ministri i Ekonomisë, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se për herë të parë është zvogëluar shuma e shpenzimeve në raport me të ardhurat duke arritur kështu rekord historik.

“Financat publike janë kthyer në binarë dhe thesi i shqyer është qepur. Jemi kujdesur që të mos shkaktojmë barrë të paqëndrueshme financiare e të mos rrisim borxhin publik, përkundër faktit që kishim pakot mbështetëse më voluminoze në rajon”, shkroi Murati.

Murati: Thesi i shqyer është qepur – Financat publike janë kthyer në binarë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore