Jetesë & Stil

Angelina Jolie dominon në procesin gjyqësor kundrejt Brad Pitt mbi shitjen e pronës franceze Chateau Miraval


Avokati i aktores Angelina Jolie, Paul Murphy ka thënë se aktorja së fundmi shënoi një seri fitoresh në sallën e gjyqit mes betejës së saj ligjore me ish-bashkëshortin, aktorin Brad Pitt mbi Chateau Miraval, prona franceze dhe kantina e verës që ata e blenë në vitin 2008.

Mosmarrëveshja midis yjeve – të cilët u martuan në provincën e Provence, në Francën Jugore në vitin 2014 dhe u ndanë dy vjet më vonë në vitin 2016 – përqendrohet rreth shitjes së pjesës së pronësisë së Jolie tek oligarku rus Yuri Shefler në vitin 2021.

Gjykatësi vendosi në favor të aktores 48 vjeçe, “dhe hodhi poshtë pesë nga shtatë pretendimet që Pitt pohoi kundër saj” në një ankesë që ai paraqiti, gjatë një seance dëgjimore në Los Anxhelos javën e kaluar, tha një burim i brendshëm për Entertainment Tonight, transmeton AlbanianPost.

“Gjyqtari hodhi poshtë shumicën e pretendimeve të Pitt sepse ato nuk kanë një bazë ligjore”, tha Murphy.

“Padia e Pitt nuk ka qenë kurrë për një mosmarrëveshje biznesi; në vend të kësaj, bëhet fjalë për përpjekjet e tij për të mbuluar abuzimin serioz dhe ne jemi të kënaqur që gjyqtari ka hedhur poshtë aq shumë nga ankesat e tij”, ka shtuar ai.

“Jolie nuk ushqen me të vërtetë asnjë keqdashje ndaj Pitt”, tha avokati i saj, duke shtuar se Angelina “shpreson që tani ta lirojë atë nga padia e tij joserioze, të ndalojë sulmet e tij të pamëshirshme dhe t’i bashkohet asaj për të ndihmuar familjen e tyre të shërohet privatisht”.

Jolie dhe Pitt janë përfshirë në sistemin ligjor mes betejave për çështje të shumta gjatë gjashtë viteve të fundit, duke përfshirë kujdestarinë e gjashtë fëmijëve të tyre – Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët Knox dhe Vivienne.

Zhvillimi i fundit në këtë çështje vjen disa javë pasi Jolie dështoi në bindjen e një Gjykate të Lartë të Los Anxhelosit për ta pushuar çështjen krejtësisht.

Pitt dhe Jolie blenë Chateau Miraval, një pronë prej 1300 hektarësh në jug të Francës, në vitin 2008, teksa në vitin 2013 ata filluan një biznes të prodhimit të verës atje me markën Perrin – prodhuesit kryesorë të verës organike nga Lugina e Rhone Jugore.

Ana e verës ishte një sukses pothuajse i menjëhershëm, me Chateau Miraval Rose që u rendit më e mira në botë nga shumë ekspertë (përfshirë revistën Wine Spectator).

Fitimet u rritën nga rreth 1 milion euro në vitin 2013 në rreth 15 milionë sosh në vitin 2022.

Por në vitin 2016, pas një incidenti mes Pitt, Jolie dhe fëmijëve të tyre në një udhëtim me avion nga Franca në Kaliforni, Jolie bëri kërkesë për divorc.

Që atëherë ka pasur përleshje – për kujdestarinë e fëmijëve dhe pasuritë – në vitin 2022, Pitt filloi një veprim ligjor kundër Jolie për shitjen e aksioneve të saj në Chateau Miravel tek oligarku rus Shefler.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore