Lajme

Anëtari i Kryesisë së LVV-së kërkon organizimin e protestave kundër presionit ndërkombëtar: “Miqtë tanë të marrin mesazhin”


Boiken Abazi

Zëvendës-kryesuesi i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi, ka kërkuar që të organizohen protesta masive në Prishtinë në mbështetje të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj siç tha ai, “presionit që vjen nga Serbia dhe cilido ndërkombëtar”.

Ai theksoi se nëse jetësohet një plan i tillë, është i gatshëm të ndihmojë në koordinimin e autobusëve për nisje nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana.

“Mos ka ardhur koha për një manifestim madhor në Prishtinë në mbështetje të Qeverisë Kurti përballë presionit që vjen nga Serbia dhe cilido ndërkombëtar, që edhe miqtë tanë të marrin mesazhin e qartë…”, shkroi Abazi në Facebook.

“Nëse organizohet, me dëshirë ndihmojë në koordinimin e autobusëve edhe nga Tirana…”, shtoi ai.

Abazi kishte shërbyer edhe si Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, madje në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, garoi si kandidat i pavarur në Tiranë, nën flamurin e Vetëvendosjes, por nuk arrit të merrte mandatin e deputetit.

Ndryshe, komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar nga kryeministri Kurti ta shtyjë vendimin për çështjen e targave ilegale serbe si dhe ta fillojë procesin për themelimin e Asociacionit të Komuave me Shumicë Serbe.

Fillimisht SHBA-të kishin kërkuar një shtyrje të vendimit për targat për një periudhë 10 mujore, e njëjta ishte shpërfillur nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ekzekutivi kosovar në vend se ta shtynte vendimin për targat sipas kërkesës amerikane e kishte ndarë implementimin e tij në katër faza, qortim, gjobë, targa provuese dhe konfiskim i të gjitha tabelave ilegale duke filluar nga 21 prilli i vitit 2023.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë ishin rritur prej se Qeveria e Kosovës kishte nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj të shkallëzuar për konvertimin e makinave me targa të paligjshme serbe në ato RKS.

Gjendja u përkeqësua kur Lista Serbe vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Për të diskutuar për situatën e krijuar në mes të dy shteteve pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat në Bruksel të hënë u mbajt takimi i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili pas 8 orë bisedimesh përfundoi pa rezultat konkret.

Kur mbetën edhe pak orë para se të nis zbatimi i vendimit për gjoba, natën vonë të hënën doli ambasadori amerikan me një deklarim publik në Twitter dhe kërkoi shtyrje 48 orëshe.

Jeff Hovenier shprehu shqetësim për mos arritjen e marrëveshjes dhe kërkoi edhe një sforcim në këtë drejtim.

Tre minuta më vonë, po në Twitter u përgjigj Kurti pozitivisht.

Mu për këtë arsye zëvendës-kryeministri i Kosovës dhe formalisht krye-negociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, të mërkurën është nisur për në Bruksel, ku do të ketë takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç, për të diskutuar pikërisht çështjen e targave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore