Lajme

Anëtarësimi në NATO nuk është lëvizje kundër Rusisë, sipas Andersson


Kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson, e ka bërë të qartë se dëshira e vendit të saj për t’u anëtarësuar në aleancën ushtarake të NATO-s, nuk është një lëvizje kundër Rusisë.

Gjatë një konference për shtyp mbi çështjen, ajo argumentoi se vendi i saj, në rast të aderimit në organizatë të vendeve të tjera kufitare me Suedinë, mund të mbetej në një pozitë shumë të cenueshme, po të mos aplikojë për t’u bërë pjesë e NATO-s.

Kështu pra, duke e justifikuar dëshirën e aderimit me një akt më shumë vetëmbrojtës se sa veprues.

Madje, edhe periudhën përgjatë aplikimit, ajo e cilësoi si një periudhë kur vendi i saj mbetet i cenueshëm, deri në garantimin e plotë të sigurisë nga ana e NATO-s.

Ndërkaq, ajo ka garantuar edhe stabilitetin që Suedia mund të ofrojë në çështjet e sigurisë.

Shpresa për Andersson, është ajo e një sinkronizimi të procesit me atë të Finlandës, në mënyrë që dy vendet të unifikojnë procesin dhe të aderojnë njëkohësisht në strukturën ushtarake.

Por, nga ana tjetër, Suedia vetë nuk pajtohet me marrjen përsipër të ngritjes së bazave ushtarake në tokën e tyre apo të pranimit të armëve bërthamore në territor.

Një pengesë e mundshme për pranimin e dy vendeve, është edhe qëndrimi i lëkundur i Turqisë.

Për Ankaranë zyrtare, Finlanda dhe Suedia – të paktën në çastet kur ne flasim – nuk duhet të anëtarësohen.

Megjithatë, sipas Andersson, kjo pengesë e lehtë turke mund të tejkalohet me dialog dhe negocim brenda strukturës.

Kështu, duke e lënë tërësisht të hapur ndryshimin e qëndrimit nga pala turke dhe duke shprehur pozitivizëm sa i përket anëtarësimit.

Mbi zgjerimin e mundshëm të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, Jens Stoltenberg, deklaroi se do të shënjonte një çast historik.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore