Lajme

Analisti kroat kritikon Borrellin: Shkoi në pushime në kohën kur Vuçiçi po zbaton “strategjinë e agresionit pasiv” ndaj Kosovës


Davor Gjenero

Një ndër vëzhguesit më të njohur të çështjeve ballkanike, publicisti kroat Davor Gjenero, në një opinion të publikuar në rrjetin ndërkombëtar të lajmeve “Al Jazeera“, teksa ka komentuar tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se gushti është tradicionalisht një muaj i vështirë në Ballkanin Perëndimor.

Kështu ka vlerësuar publicisti kroat derisa ka kritikuar Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, i cili në pikën më të lartë të tensioneve e me potencial shpërthimi, ka vendosur të ndërpresë dialogun Kosovë-Serbi dhe të shkojë në pushime verore.

“Vëmendja ndërkombëtare ulet në gusht, megjithëse është shumë e rrallë të shohësh një aktor kaq të paaftë, siç është Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, i cili thjesht njoftoi se bisedimet me aktorët e përfshirë në krizën ballkanike kanë përfunduar dhe po shkonte me pushime”, ka thënë Gjenero.

Ai ka potencuar se koha kur diplomati spanjoll ka vendosur të shkojë me pushime, është gjithashtu koha kur, tradicionalisht, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, së bashku me kolegët e tij nuk pushojnë dhe kështu zbatojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe aktive “strategjinë e agresionit pasiv” ndaj vendeve fqinje.

Zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës, të mbajtura në muajin prill, sipas Emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ishin “mina tokësore”, ku ka shkelur gabimisht bashkësia e organizuar ndërkombëtare. E analisti kroat ka theksuar se ky është pikërisht thelbi i “strategjisë së agresionit pasiv”.

“Ky është thelbi i ‘minës tokësore’ për të cilën flasin tani në institucionet evropiane, por vazhdojnë sistematikisht retorikën e ‘de-përshkallëzimit’, duke anashkaluar pyetjen kyçe: kush është përgjegjës për përshkallëzimin që ndodhi”, ka nënvizuar ai, ndërsa ka shtuar se “shfaqja qendrore e agresionit pasiv është ende në përgatitje”.

Diplomatët evropianë presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore