Shqipëria

AMP-ja arreston 2 doganierë dhe 2 policë në Qafë Thanë


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë dy punonjës policie të Pikës Kufitare Qafë Thanë, dy doganierë dhe tre shtetas për tri vepra të ndryshme penale.

Në kuadër të operacionit “Dinarët”, ata akuzohen për shpërdorim detyre, korrupsion aktiv/pasiv dhe kontrabandë me mallra të tjera.

Shtetasit J. H., B. H. dhe F. G janë kapur ndërsa udhëtonin me mjete të ndryshme nga shërbimet në hyrje të territorit të Republikës së Shqipërisë, duke transportuar mallra ushqimorë të futura kontrabandë nga Pika e Kalimit Kufitar “Qafë Thanë”, duke shmangur detyrimet doganore.

Në vijim të veprimeve hetimore rezultoi e provuar se shtetasit e mësipërm janë favorizuar kundrejt shumave në para nga punonjës policie, në bashkëpunim me punonjës të doganës me detyrë doganier, pranë kësaj pike kufitare.

Të arrestuar gjithashtu janë inspektori A. H., 43 vjeç, ndihmës specialist kontrollor në PKK Qafë Thanë, inspektori F. M., 38 vjeç, Trupë Shërbimi në PKK Qafë Thanë, V. B., 53 vjeç, me detyrë Doganier, pranë Degës Doganore Qafë Thanë dhe J. P., 45vjeç, me detyrë Doganier, pranë Degës Doganore Qafë Thanë

Po ashtu, në vijim të veprimeve paraprake hetimore, u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe ”Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” shtetasit, J. H. , 37 vjeç, banues në Librazhd, B. H., 38 vjeç, banuese në Librazhd dhe F. G., 22 vjeç, banues Librazhd.

Nga veprimet hetimore të kryera dhe këqyrja e pamjeve filmike është provuar se punonjësit e policisë së Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë, në bashkëpunim me punonjësit e Doganës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, në kundërshtim me ligjin dhe kundrejt shpërblimeve në para, kanë favorizuar shtetasit e mësipërm në kalimin e mallrave kontrabandë pa kryer procedurën e zhdoganimit.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar tre automjete, nëntë aparate celularë, sasi vlerash monetare të përfituara në mënyrë të kundërligjshme nga aktiviteti i kontrabandës në ambientet e punës, sasi e konsiderueshme e mallrave ushqimorë dhe pijeve të ndryshme, si dhe mallra të tjera.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore