Shqipëria

AMF arkëtoi 9.4 milionë lekë nga gjobat për kompanitë e sigurimit gjatë vitit 2023


Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka marrë një sërë masash ndaj kompanive të sigurimit gjatë vitit 2023, ku ka raportuar edhe të ardhura në vlerën e 9.4 milionë lekëve, prej 28 masave administrative të vendosura vitin e shkuar.

Në raportimin që institucioni ka kryer në Kuvendin e Shqipërisë, bie në sy fakti se masat janë marrë kryesisht si rezultat i konstatimeve të dala nga analizimi i treguesve financiarë, nga inspektimet e kryera në vend nga Autoriteti, por edhe pezullime ose revokime licencash për ushtrimin e aktivitetit.

Ndër to, 20 vendime janë marrë në tregun e sigurimeve, prej të cilave 13 kanë të bëjnë me masa korrigjuese dhe sanksione me gjobë ndaj shoqërive të sigurimit ose personave përgjegjës.

Dy vendime janë për refuzim të rishikimit ndaj kërkesave për rishikim, dy vendime me masa korrigjuese ndaj shoqërive të brokerimit në sigurime dhe tre vendime me heqje licence ndaj subjekteve për të ushtruar veprimtarinë e brokerimit në sigurime.

Edhe ndaj Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, janë marrë dy vendime me masa administrative.

Sipas pasqyrave financiare të AMF të dorëzuara në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë vitit 2023 ky institucion realizoi 9.4 milionë lekë të ardhura nga gjobat e vendosura për kompanitë e sigurimit. Sipas shënimeve të pasqyrave financiare, të ardhurat e realizuara janë të gjitha gjoba për kompanitë e sigurimeve, ndërsa për vitin 2023 nuk janë raportuar të ardhura nga gjoba të vendosura për subjekte të tjerë nën mbikëqyrje.

Kjo shënjon edhe një rënie me 43% krahasuar me një vit më parë, pra vitin 2022.

Sipas ligjit “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, AMF mund të vendosë ndaj shoqërive të sigurimit gjoba që mund të arrijnë deri në tre milionë lekë, në varësi të shkeljes së konstatuar. Subjekte të gjobave mund të jenë edhe administratorët e shoqërive të sigurimit, për shuma nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë, si edhe anëtarët e këshillit mbikëqyrës, në intervalin mes 300 mijë lekë dhe 500 mijë lekë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore